Kompania turke planifikon mbi 100 milionë euro investime në Kosovë

Kompania turke ESAN tashmë mbi 5 vite ndodhet në Kosovë dhe pas hulumtimeve në sektorin minerar po shpreh interesim për investime të mëdha. Për këtë qëllim, është mbajtur takimi ndër-institucional me kompaninë në fjalë, ku kanë marrë pjesë ministrat që merren me çështje ekonomike e ambientaliste si dhe kryetarë të komunave ku synohet të investohet. Ky në fakt ishte takimi i parë i këtij niveli pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike në shkurt të këtij viti.

Drejtoresha e kompanisë ESAN, Serpil Demirel, tha se investimet dhe hapja e vendeve të punës varen nga sasia e xeheve.

“Varësisht nga sasia e xeheve që do të gjenden pas kërkimeve, investimet tona mund të shkojnë nga 10-tra deri në mbi 100 milionë euro si dhe do të krijohen vende pune nga qindra deri në për mbi 1000 punëtorë”, tha Demirel.

Ministrat prezentë mirëpritën interesimin e kompanisë, përderisa ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami, duke potencuar se projekti duket shumë ambicioz, njoftoi për kushtet e kualifikimit si investitor strategjik.

“Ligji ka disa kritere të cilat do të thosha janë mjaft strikte. P.sh. që nga marrja e statusit të investitorit strategjik deri në fillimin e investimit kompania ka afat vetëm 6 muaj. D.m.th. që nga marrja e statusit deri në fillim të investimit janë vetëm 6 muaj kohë. Kështu që besoj se për kompaninë absolutisht nuk është në interes që në këtë fazë ku ende s’ka fillua edhe nuk e ka licencën e eksplorimit me e marrë statusin e investitorit strategjik sepse e pamë që ju nevojiten thuajse 18 muaj për ti kryer të gjitha eksplorimet”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja Bajrami theksoi se minimumi i investimeve për tu kualifikuar si investitor strategjik është 30 milionë euro në sektorin e minierave dhe mineraleve. Drejtoresha Demirel, duke u pajtuar me ministren Bajrami, tha se do të vazhdojnë me periudhën e hulumtimeve dhe ndërkohë kur të jenë të gatshëm për studim të fizibilitetit, ajo u shpreh e sigurt se Esan do të jetë ndër investitorët më të mirë në Kosovë./trt/


Më të lexuarat