Mjekët: Vdekja e fëmijëve në kraharor është një moment shumë i vështirë

Mjekët të cilët ishin prezentë gjatë sulmit me armë kimike në Han Shejhun të Idlibit kanë thënë se nuk kanë patur mundësi dhe kanë qenë të pafuqishëm në ndërhyrjen ndaj atyre që u ndikuan nga gazi, raporton Anadolu Agency (AA).

Punonjësit e shëndetësisë në spitalet e jugut të Idlbit, të cilët kujdesen për të plagosurit nga sulmi me armë kimike në Han Shejhun duke folur për AA ku kanë treguar përjetimet e tyre gjatë sulmit.

Xhemal Hizbor, një nga doktorët më profesionistë të një spitali ku janë dërguar edhe të dëmtuarit e parë nga gazi helmues, thotë se ato momente kanë qenë më të vështirat gjatë gjithë konfliktit në Siri që prej 6 vitesh.

Hizbor thotë se të plagosurit ishin të shumtë, ndërsa ata nuk kishin personel dhe materiale shëndetësore të mjaftueshme. "Ishte një ndjenjë shumë e dhimbshme. Përpara meje kisha fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar të cilët nxirrnin nga goja shkumë dhe kishin vështirësi në frymëmarrje. Ishte një tragjedi e vërtetë. Disa humbin jetën. Disave ju ngushtohet bebja e syrit. Nga britmat dhe vajtimi si nga të plagosurit ashtu nga familjarët ishte një gjendje shumë e vështirë. Aq sa nuk mund të durohej", tha doktor Hizbor. 

Ai thotë se i gjithë personeli ka bërë të pamundurën me shpresën për të shpëtuar sa më shumë persona dhe në vijim shton: "Krahas të ndikuarve nga gazi, viktimë e tij ranë edhe doktorët si dhe personeli mjekësor që ishte prezent. Ne mjekuam edhe ata në mënyrë që të mund të ngriheshin dhe të ndihmonin pacientët. Sa do që mund të flas është e pakët. Për të kuptuar më mirë do të duhet ta përjetonit atë moment. Në trupat e kufomave të fëmijëve kishte pizhame. Kishin humbur jetën në gjumë. Ishte një tablo shumë e dhimbshme."

Duke vënë në dukje se në rast të një tjetër sulmi të ngjashëm, qendra shëndetësore ku ai shërben ka nevojë për edhe më shumë medikamente dhe materiale shëndetësore, Hizbor në vijim shton: "Kemi nevojë për medikamente të posaçme për raste të tilla. Për maska, veshje mbrojtëse, dhe doreza penguese të kalimit të gazit për personelin. Sepse përdorëm disa ilaçe të përkohshme. Madje ilaçet që kishim nuk na mjaftuan. Kërkuam nga zona përreth."

"Një fëmijë i veshur me pizhame ndërroi jetë aty"

Abdulmünim Shardup, një mjek në një tjetër spital të rrethinave të Idlibit thotë se fakti që nuk dinin llojin e gazit ishte shumë e vështirë për ndërhyrje. "Për shkak se nuk kishim shtretër të mjaftueshëm, shumë pacientë u shtrinë në tokë. Nuk kishim edhe mjetet më të nevojshme për ndërhyrje që përdoren në raste të tilla. Madje edhe bombolën e oksigjenit e përdornim me radhë", thotë doktori Shardup.

Nga goja e tyre dilte shkumë, bebet e syrit ishin zvogëluar, lëkura e tyre ishte skuqur, dridheshin dhe ishin të shtrënguar, thotë Shardup dhe në vijim shton se në mënyrë që të mbrojnë punonjësit e spitalit nga gazi, duhet të dinë llojin e tij.

"Të ndërrojë jetë një fëmijë në krahët e tu është një situatë shumë e vështirë. Na erdhën shumë fëmijë të veshur me pizhame dhe që ndërruan jetë më pas këtu tek ne. Bëmë çfarë mundëm, por fatkeqësia ishe e madhe."

"Mund të japësh edhe shpirtin tënd për të shpëtuar fëmijë, por nuk ke fuqi"

Një tjetër punonjës shëndetësor në këtë qendër, Ismail el-Mebruk, thotë: "Punuam për orë të tëra pa ndaluar. Përballë një ekipi të vogël mjekësor qëndronin rreth 100 persona të shtrirë."

Ndërsa punonjësi i ambulancës, Husam Mendil, ditën e sulmit e shpjegon kështu: "Nëse normalisht në mjet mund të futen 2-3 persona, atë ditë kemi transportuar 9-10 pacientë. Disa nga ata që transportova kishin shkumë në gojë. Disa të tjerë ishin pa ndjenja. Mbase edhe të vdekur. Veçanërisht fëmijët kishin vështirësi në frymëmarrje. Ishte një ndjenjë shumë e keqe. Përpara syve të tu humb jetën një fëmijë. Në atë moment kërkon të japësh shpirtin tënd për të shpëtuar jetën e tij, por nuk ke fuqi për një gjë të tillë."

Mendil thotë se një grua dhe fëmijët e saj janë helmuar 5 ditë pas sulmit me armë kimike pasi kishin veshur rroba me mbetje të gazit helmues, ndërsa shton se ata menjëherë janë dërguar në qendrat shëndetësore për mjekim. 


Më të lexuarat