“Kisha Katolike mbi pushtetin, Bashkësia Islame vegël e tij”

Kryetari i LISBA, Fuad Ramiqi, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se Kisha Katolike e Kosovës është superiore ndaj pushtetit, ndërsa Bashkësia Islame krejtësisht inferiore ndaj tij.

Ai ka deklaruar se katolikët e vendit nuk janë aspak të diskriminuar dhe cuditet me pretendimet se kjo gjë ndodh, duke shtuar se përkundrazi, janë myslimanët ata që diskriminohen, njofton Klan Kosova.

“Kisha Katolike në Kosovë është plotësisht superiore ndaj pushtetit. Bashkësia Islame në Kosovë është inferiore ndaj tij”.

“Unë gjithmonë cuditem me atë se si një popull me shumicë dërrmuese myslimane konsiderohet se e rrezikon pakicën katolike. Gjithmonë është një komunitet që duhet të thotë se nuk duhet shamia, mësim-besimi, shoqatat. Myslimanët në Kosovë janë të diskriminuar. Pushteti më kërcënon mua edhe sot. Por unë nuk frikësohem. Ky është vendi im. Ka kuzhina që vazhdimisht tentojnë ta zhdukin lirinë e shprehjes. Ky pushtet ka shantazhuar edhe të burgosurit, duke u premtuar lirinë, nëse ata flasin keq për mua”.

Sa i përket alarmit për një sulm të mundshëm terrorist gjatë fundjavës, Ramiqi ka thënë se kjo mund të jetë tentativë e pushtetit për të tërhequr vëmendjen në drejtim tjetër, teksa mundohet që të kryejë disa punë të zorshme për t’u pranuar nga populli.

“Policia e ka ngritur gatishmërinë dhe kur kjo ndodh është e natyrshme që persona të caktuar të ndalohen. Shqetësuese është që është ngritur gatishmëria edhe në spitale. Unë shqetësohem se masat mund të shtrëngohen edhe më dhe të vijë deri te konflikti, që pushteti t’i kryejë disa punë që nuk ka mundur deri tani”.

“Shqiptarët gjithmonë kanë jetuar bashkë. Dhe meritor për këtë nuk është as pushteti, as policia. Është vet populli. Tash dikush po dëshiron që situatën ta keqpërdor për interesa të veta. Është dëshmuar që interesat e klaneve politike dhe kriminale qëndrojnë pas këtyre veprimeve”. /klankosova.tv


Më të lexuarat