Erdoğan: Nuk do të lejojmë që zona e sigurisë në Siri të shndërrohet në moçal tjetër"

ANKARA (AA) - Ankaraja asnjëherë nuk do të lejojë që zona e sigurt në Siri të shndërrohet në "një moçal tjetër" kundër Turqisë, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ne kurrë nuk mund të lejojmë implementimin e një zone të sigurt që të shndërrohej në një moçal tjetër kundër vendit tonë", tha Erdoğani në një takim të Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB) në kryeqytetin Ankara.

Erdoğani tha se Ankaraja nuk është kundër formimit të një zone të sigurt prej 30 kilometrash në Sirinë veriore pranë kufirit të Turqisë, duke shtuar se propozimi i Turqisë në lidhje me zonën e sigurisë është mbajtja e organizatave terroriste larg kufirit turk.

Presidenti turk tha se Turqia nuk synon në integritetin territorial të Sirisë, duke shtuar se ai gjithashtu do të diskutojë çështjen me homologun e tij rus Vladimir Putin në Moskë në ditët në vijim.

Lidhur me një operacion të mundshëm ushtarak turk në rajonin lindor të lumit Eufrat, Erdoğani tha se pothuajse të gjitha përgatitjet janë përfunduar.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia do t'ia dorëzojë pronarëve të vërtetë Munbixhin, rajon në veri të Sirisë i pushtuar nga organizata terroriste YPG/PKK.

Të gjitha organizatat terroriste që tentojnë madje sulmin më të vogël ndaj Turqisë, përfshirë DAESH-in, YPG-në, PYD-në, do të paguajnë çmim të rëndë, theksoi Erdoğani.

Ndryshe, Turqia prej muajsh ka paralajmëruar një operacion antiterrorist në veri të Sirisë kundër YPG/PKK-së, pas dy operacioneve paraprake të suksesshme, "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit".

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, ndërsa YPG/PYD është dega e saj siriane.


Më të lexuarat