
Javën e kaluar, konkretisht në ditën e Xhuma, mijëra besimtarë nga Prishtina kishin vendosur ta falin namazin e Xhumasë në rrugë. Nuk është hera e parë që ata falen në rrugë, ka dhjetë vite e më shumë që ata falen çdo javë në rrugë, verë e dimër, pranverë e vjeshtë.
Që nga mbarimi i luftës, kur filloi të shtohet numri i xhematit, e në veçanti i të rinjve të cilët mbushën xhamitë, njerëzit janë detyruar vazhdimisht të falen jashtë xhamive në mungesë të lokacioneve për t’u falur brenda.
Ashtu ndodh edhe sot e kësaj dite. Besimtarët falen në temperaturë minus dhjetë e pesëmbëdhjetë, apo edhe më të ftohtë, e të njëjtit falen në temperaturë plus 30, bile edhe më nxehtë se kaq. Falen në shi e në borë dhe askush nuk e ka dertin e tyre. Është kërkuar nga organet e kuvendit komunal të Prishtinës me dhjetëra herë që të jepet një pjesë toke diku në mes të qytetit e të ndërtohet një xhami e madhe e cila do ta zgjidhte problemin për së paku dhjetë mijë veta. Asnjëherë nuk është dhënë përgjigja. E për hir të së vërtetës duhet cekur se administratori i parë i OKB-së në Kosovë pas luftës, pat dhënë leje për një vend prej disa hektarësh në lagjen Arbëria – ish-Dragodan, leje kjo e nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit Komunal dhe persona tjerë të funksionit në fjalë. U pat ndarë edhe fondi nga ish-mbreti i Arabisë Saudite me vlerë afro dhjetë milion dollarë për ta ndërtuar një qendër të madhe kulturore me shumë objekte përcjellëse, në kuadër të së cilës hynte edhe një xhami e madhe. U bënë të gjitha përgatitjet, madje u vendos edhe gurthemeli, por, për çudi (e çudira ka sa të duash në vendin tonë), Kuvendi Komunal i Prishtinës me shumicë votash ndaluan ndërtimin e qendrës me pretekst se pranë atij vendi paska prona diskutabile! E Kuvendi Komunal nuk paska mundësi e aftësi për t’i zgjidhur ato probleme pronash! E vërteta qëndron krejt ndryshe. Sipas të gjitha gjasave Kuvendi që e mori atë vendim ka qenë i shtyrë që me çdo kusht ta ndalojnë ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet sepse kjo do të ishte sinjal i “përparimit të Islamit” në këto treva, sinjal ky që dikujt i pengon shumë.
Për ta vërtetuar këtë edhe më fuqishëm, nuk shkoi gjatë e u dha leja për ndërtimin e një katedraleje shumë të madhe mu në qendër të Prishtinës, pa ekzistuar fare nevoja. Për katedrale u gjet qarja e të gjitha pronave publike e private, madje morën guximin ta rrënojnë shkollën e mesme, një monument shumë të rëndësishëm, e i afatizuan edhe pronarët e dhjetëra lokaleve aty pranë për mbylljen e dyqaneve të tyre duke lënë kështu shumë familje pa bukën e tyre. Për dikë ndërtimi i katedrales ishte shumë më i rëndësishëm sesa shkolla që qëndronte aty. Si të mos jetë kështu kur me atë katedrale synohet konvertimi i kësaj popullate në fenë katolike, qëllim ky i cili nuk do të realizohej përmes shkollës që zinte vend në vendin e saj! Andaj mos u çuditni të nderuar që një aparaturë e tërë shteti u ngrit në këmbë në atë kohë për ta ndërtuar katedralen në të njëjtin qytet ku ndaluan ndërtimin e një xhamie të madhe, në kryeqytetin me 99% muslimanë! Edhe pushtetarët e tanishëm nuk po lejojnë ndërtimin e asaj xhamie, ndonëse po premtojnë me gojët e tyre.
Ta dinë se premtimet nuk kanë më vend tek ne, jemi ngopur, është koha e fundit për zbatim në praktikë.
Falja në rrugë nuk është e re për ne. Është falur në rrugë i gjithë xhemati i Xhamisë së Madhe, saktësisht nën qiell të hapur prapa Pallatit të Rinisë për më shumë se një vit, kur u mbyll xhamia për restaurim. Patëm kërkuar një sallë nga organet kompetente për shfrytëzim të përkohshëm vetëm ditëve të Xhumasë, por nuk na e dha. Në rrugë falen edhe sot dy të tretat e xhematit edhe pse xhamia është hapur. Ajo më e madhe nuk është bërë, ajo prapë nuk i zë gjithë ata besimtarë. Për mua nuk është asgjë e jashtëzakonshme që xhemati javën e kaluar u fal në rrugë, ndryshimi ishte se ata bllokuan rrugët si shenjë proteste ndaj Kuvendit Komunal që po e zvarrisin pafundësisht çështjen e lokacionit për ndërtimin e xhamisë. Organet e sigurisë u përgjigjën pozitivisht dhe lejuan bllokimin e rrugës, për çka meritojnë falënderim të veçantë. Shtrohet pyetja ku është e keqja që qytetarët ta bllokojnë rrugën e të protestojnë? Cilës klasë i takojnë këta qytetarë që aq shumë diskriminohen? A mos ka dallim midis qytetarëve tanë, ku një komunitet fetar të jetë më i privilegjuar ndaj një tjetri? Pse pushteti ynë për dikë bëhet “vjehërr” e për dikë “nënë”? Ç’është gjithë kjo shkelje e të drejtave elementare fetare në Kosovën tonë? Këta nuk lejojnë të ndërtohet xhamia, të tjerët ndalojnë shaminë, ndalojnë mësim-besimin në shkolla, nuk ka respekt e as ligj për Bashkësinë Islame dhe institucionet tjera fetare. Ku po jetojmë ne?! Kush i solli ata njerëz në pushtet, çfarë emaneti dhe detyre kanë ata, kujt i shërbejnë ata njerëz, cilit popull, me çfarë përkatësie fetare?! E di se shumëkujt nuk ia ka ënda Islamin, shumëkujt i dhembin sytë kur shohin xhamitë, e kur i shohin të rinjtë e të rejat duke iu kthyer praktikimit të Islamit çdo ditë e më shumë. Madje dikujt i dhëmbin edhe veshtë kur dëgjojnë ezanin nga xhamitë.
Nuk e duan këtë shoqëri me Islam, me fe njerëzore, me të vetmen që siguron shoqëri të shëndoshë pa gjithë ato dukuri negative që po i shohim sot, pa shkelje të të drejtave fetare e pa keqpërdorim të pasurisë dhe interesit shoqëror. Ata mund të mos e duan, por neve mos të na pengojnë. Mirëpo, i sigurojmë me një gjë: po të ngritët në këmbë i madh e i vogël, këtë fe s’mund ta ndalin dot, kjo fe ka ecur dhe po ecën përpara me apo pa ta. Ngase kjo fe nuk është pronë imja, as e tyre, madje as e Bashkësisë Islame, kjo është fe e Zotit, Sunduesit Absolut i cili ka garantuar triumfin e kësaj feje. E njerëzit vetëm sa koriten dhe përulen, në këtë botë, e edhe në tjetrën.
Nuk e di edhe sa do vazhdojmë të falemi nëpër rrugë, nuk e di kur do të respektohen të drejtat tona fetare, kur do të jepet lokacioni për xhami, kur do të rregullohet çështja e shamisë, mësim-besimit e çështjeve tjera me rëndësi për këtë shoqëri. Shpresat nuk i humbim asnjëherë, as nuk dorëzohemi dot!
Allahu i drejtoftë këta njerëz, në veçanti parinë tonë, po edhe neve të gjithëve!
Mbes me shpresë se gjërat do të bien në binarë sa më shpejt. Amin.