Kthimi i komunizmit në Kosovë !

 

Berat Mernica

 

Kosova si një ndër shtetet më të reja që ka shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008, dhe po atë ditë ka futur në fuqi dhe kushtetutën e saj. Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, mund të themi me plotë kuptimin e fjalës se Kosova nuk ka lëvizur vendi! Shumë skandale që na përcollën gjatë kësaj kohe ishin ato shkaktarët e ngecjes së proceseve të rëndësishme për vendin tonë. Mosfunksionimi i ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës është problem qe 14 vjet pas luftës, gjë që ishte dashur t'i brengoste liderët tanë, dhe ishte dashur që të marrin këtë çështje me një seriozitet të madh, vjedhjet që u bënë në polici para do vitesh dhe u heshtën shumë shpejt, vrasjet që po ndodhin që pothuajse kush nuk po ua vënë veshin ishin disa nga gjërat që janë më shumë të rëndësishme për vendin tonë se sa shpifjet që hedhen çdo ditë në adresë të Islamit dhe myslimanëve. Arrestimi i fundit i 12 imamëve të BIK-ut është ngjarje që ka bërë bujë të madhe në kryetitujt e shumë nga të përditshmeve tona dhe portaleve të shumta në internet. Islami sikurse po përdoret si lodër që ta shpërqendrojë vëmendjen e publikut nga gjërat primare për vendin tonë drejt atyre jorelevante për publikun. Temat që filluan ketë hap ishin para ca vitesh po nuk ishin shumë të fokusuara dhe heshtshin shumë shpejt. Ishte Lufta në Palestinë që shumë nga mediat tona nuk interesoheshin fare për numrin e saktë të të vrarëve dhe fëmijëve në këto zona lufte, por merreshin më shumë me aktivitet e xhihadistëve. Tash së fundi me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën në Siri dhe Gaza u morën si aktorë dhe hoxhallarët si pjesë e lojës së injorantëve dhe armiqve të islamit. Kjo sikurse na bënë të mendojmë se jemi duke jetuar në Shqipërinë e viteve të 1967-tës, ku sistemi komunist i saj kohe mbylli xhamitë dhe burgosi e vrau predikuesit e fesë, hoxhallarët, ua ndaloi atyre madje edhe agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku xhamitë u shndërruan në vendbanime kafshësh, ku çdo gjë Islame pothuajse zhdukej dhe i ishte hapur dera mohimit të Krijuesit dhe ishte hapur derë ateizmit si njëri ndër alternativat e vetme të asaj kohe. Tash më pas afro 24 viteve të rënies së sistemit komunist në Shqipëri, Kosovës sikurse iu shishmua kjo gjellë e shpifur e braktisur shumë kohë më parë. Terrorizmi , radikalizmi, dhe ekstremizmi janë disa nga termat që kanë zëvendësuar fjalën “diversitet të mendimit” dhe fjalën “liri të shprehjes” ku për këtë të fundit shumë bijë dhe bija të Kosovës flijuan më të shtrenjtën, jetën e tyre qe ne sot ta gëzojmë, porse kjo gjë po mundohet me çdo kusht të na merret nga pushtetarët tanë që në çdo katër vjet na përkëdhelin kokën që të na marrin votën dhe në fund të na ofendojnë edhe religjionin tonë të shenjtë. Islami asnjëherë nuk ka nxitur për luftë, për hakmarrje, apo diç të tillë, të gjithë prijësit fetar thërrasin për paqe dhe bashkim mes njerëzish, dhe luftim kundër së keqes që rrezikon shoqërinë e shëndoshë demokratike. Videoja e Don Anton Kçires kur u publikua shumë media heshtën ku të gjithë myslimanët u ofenduan dhe u quajtën qenë, dhe ishte si një thirrje që Serbia ende ka punë në Kosovë ende ishte dashur të vrasë myslimanë dhe shqiptarë. Ndërsa shpifjet ndaj hoxhallarëve (prijësve islamë) dhe institucionit të myslimanëve, BIK-ut nuk kanë të ndalur. Çdo gjë që adresohet në drejtim të këtij komuniteti është e pabazë, thjesht është gjithçka e ndërtuar mbi shpifje dhe asnjëherë e mbështetur me fakte konkrete; flitet për ekstremizëm nuk sjellin fakte, flitet për rekrutim të kosovarëve për Siri nuk gjenden njerëzit që merren me këtë punë, flitet për paga që marrin njerëzit me mjekra nuk sjellin fakte konkrete. Gjithçka e ndërtuar mbi një bazë akulli që sa herë që rrezon dielli zhduket. Myslimanët si një komunitet shumicë mbi 98% janë duke u përballur me sfida të mëdha dhe presione të shumta nga shteti ynë laik, për të cilin çdo religjion tjetër është i pranuar në vendin tonë dhe nuk u pengon; vetëm Islami dhe myslimanët janë gjithmonë pikëshënjestër e klaneve të ndryshme shtetërore të Kosovës.  Sikurse të gjitha gjërat i kem OK vetëm myslimanët janë ajo gjëja që po i ngec proceset e vendit tonë;  sikurse e pavërteta ka lidhur miqësi me pushtetin tonë dhe e vërteta është në ndjekje dhe çdo herë pritet të burgoset për shkak që ajo gjithmonë paraqet fytyrat reale të atyre njerëzve që e shikojnë me një sy më ndryshe.  Nëse ne si shoqëri e vlerave evropiane po synojmë çdo ditë e më shumë atë rrugë, ishte dashur të jemi më tolerantë në të drejtën e lirisë së shprehjes, veshjes predikuese, gjuhës predikuese, siç ndodh te shumë shtete evropiane të cilat nuk ia ndalojnë qytetarëve të vet të shkollohen në qoftë se bartin mbulesë në punë apo shkollë, apo nuk akuzohen se ata mendojnë ndryshe dhe vishen ndryshe nga të tjerët, pasi që diversiteti është i pranishëm në çdo vend, siç është edhe prania e ajrit në çdo vend. Këto janë vlerat e një shoqërie evropiane dhe të modernizuar, aty ku secili mund të shpreh lirshëm përkatësinë e tij fetare, mendimin e tij, t'i ndajë mendimet me miqtë e tyre etj. Sikurse Kosova është duke dashur që të prodhojë një shoqëri të mbyllur dhe ta instalojnë mendimin universal në të gjithë shoqërinë që çdo gjë Islame është terrorizuese.