Ditarët e Rexhep Qosjes, disa biografi për shumëkë të pakëndshme

 

Salih Kabashi

 

Ka dekada qyshse jetoj i dashuruar në veprën letrare të Rexhep Qosjes, në angazhmanin e tij politik-patriotik. Jam i fascinuar me pozicionimin e tij përherë të drejtë e përherë të guximshëm.

Të gjithë librat e Rexhep Qosjes, ashtu me radhë siç kanë dalë, secilënherë i kam përjetuar si mesazhe të ardhur nga instanca antike, nga autoritete të Renesansës evropiane, nga figura të shquara të Rilindjes shqiptare apo si ekzemplarë të rrallë të një disidentizmi antistalinist.

E kam përjetuar dje dhe njësoj e përjetoj edhe sot si shembull unik të mendimtarit gjeni me të cilin Historia kompensoi shqiptarët.

Sivjet shkëlqimi qosian erdhi në trajtën e ditarëve, shënimeve të tij, të mbajtur përgjatë një gjysmë shekulli.

Shqiptarët e rinj të tashëm, sidomos gjeneratat që do te vijnë do të mësojnë çka i ndodhi Kosovës në një kohë, çka u zi e çka u përzi brenda saj një mot, çka i ndodhi letërsisë, kulturës, arteve, shkencave…

Tito-Rankoviqi, OZNA, UDB-a, Millosheviqi, servilët e tradhtarët shqiptarë, stalinistët e fshehur nën gandizmin jo rrallë asgjëbërës... E gjithë kjo dëshmi, i gjithë ky dokumentim, të gjitha këto e shumë më shumë se këto kujtime gjenden tashmë në 5 dhe do të gjenden te 9 vëllimet e ditarëve të Rexhep Qosjes me titull : « DËSHMITAR NË KOHË HISTORIKE ».

Brenda rreth tre mijë faqeve ndjehemi si në arkiv, si me një kronikan që të pushton me rrëfimin, si në shoqërim kulturologu, historiani të letërsisë, si në ligjëratën e një historiani tepër të zgjuar, si në krahë të një kritiku letrar të supertalentuar… Pranë esejistit, romancierit, dramaturgut…. Aty hasim gardianin e vlerave, mbrojtësin e zjarrtë dhe kërkuesin e ngulmtë e të patrembur të të drejtës për liri.

Aty gjejmë Qosjen që e njohim me dekada : si intelektualin brilant dhe si burrin që gjithmonë foli të vërtetën duke u hapur guximshëm gjoksin furtunave.

Fletët e ditarëve të Qosjes janë dosje të hapura për shumë nga të pabesët e Kosovës, që s’ishin tjetër pos, huazoj autorin – blegtorë në ballë të institucioneve.

Qosja është dëshmitar e vrojtues gjenialisht i mprehtë i ecjeve e përpëlitjeve shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli. Protagonist në ngjitjet shkencore e kulturore të vendit të tij. Digë e pakalueshme për sulmet e armiqve dhe pabesitë e servilëve e shpirtvegjëlve.

Rexhep Qosja ka bërë e po bën për kulturën, literaturën, historinë dhe për mendimin politik shqiptar atë që ka bërë për Francën shkrimtari, filozofi e enciklopedisti francez i periudhës së Dritës (Lumiéres), Denis Diderot (Deni Didro).

« Pas dyqind vitesh, thotë ekonomisti, shkrimtari dhe këshilltari politik francez Jacques Attali (Zhak Atali), asnjërës nga figurat e mëdha të kulturës e të literaturës franceze të shekullit XVIII nuk do t’i përmendet as njihet emri… Franca pas dyqind vjetësh prapë do të njohë e kujtojë vetëm Denis Dederot-në. »

Edhe enciklopedisti Rexhep Qosja, i lavdëruar sot do të lavdërohet edhe më shumë në dekadat e në shekujt që vijnë. Atëherë shqiptarët do të jenë të çliruar nga blegtorët në krye shteti…

Nuk janë pak nga ata që do t’i çmend kjo seri e ditarëve të Qosjes. Ata gjithmonë i janë trembur, më mirë : janë trishtuar nga librat e tij. Tash do të dridhen prap. Disa edhe në varr.

Qosja i kishte paralajmëruar me kohë (parafrazim):

Si nuk mu shkoqët ?! Hajt se do të ju shkoq me penën time…