Xheladin Leka
Allahu i Lartësuar në shumë vende të Kur'anit i ka lavdëruar njerëzit e dijes fetare, pra hoxhallarët dhe dijetarët islamë. Ai thotë: "Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!" (Ez-Zumer: 9). Gjithashtu thotë: "Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët" (El Fatir: 28), ndërsa Pejgamberi ynë, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë: "Dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberëve".
Në këtë kategori hyjnë edhe hoxhallarët të cilët nuk kanë arritur gradën e dijetarëve, porse ecin rrugës së tyre ngase edhe këta janë të dalluar te Zoti për shkak të dijes që bartin, hairit që shpërndajnë dhe frikës së madhe që kanë ndaj Zotit të tyre.
Për këto fakte dhe për të mirën e madhe që ata i sjellin njerëzimit duke i afruar ata tek të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër dhe duke i larguar nga të këqijat e kësaj bote dhe të botës tjetër, për të gjitha këto ata janë të privilegjuar nga Allahu dhe gjithashtu duhet të privilegjohen dhe dallohen te njerëzit pasi mirësia ndaj tyre është mirësi ndaj çdo individi dhe ndaj popullit në përgjithësi.
Njerëzve nuk u rregullohen çështjet e kësaj bote përderisa në krye të tyre nuk qëndrojnë dy kategori njerëzish: udhëheqësit shtetërorë që rregullojnë çështjet e përditshme të jetës dhe udhëheqësit fetarë që rregullojnë jetën fetare në këtë botë, në mënyrë që të jetë në rregull jeta e njerëzve në botën tjetër. Udhëheqësit shtetërorë i ndihmojnë njerëzit për tejkalimin e problemeve dhe sfidave materiale, ndërsa udhëheqësit fetarë i ndihmojnë për tejkalimin e problemeve shpirtërore si dhe në ngritjen sa më lart në aspektin moral dhe edukativ.
Edhe pse kjo është pozita reale e dijetarëve dhe e hoxhallarëve, megjithatë ata në disa vende gëzojnë pozitat më të ulëta në shoqëri, madje përçmohen, persekutohen, privohen nga të drejtat e tyre themelore dhe ditë e natë u bëhen shpifje dhe akuza të njëpasnjëshme.
Një rast i tillë është edhe në Kosovë, sidomos vitet e fundit, ku mediat janë duke luajtur rolin kryesor në orvatjet për njollosjen e nderit dhe pozitës që kanë hoxhallarët në popull.
Ato janë duke praktikuar planin sionist për të njollosur fenë përmes figurave të saj, ngase nga mënyrat e sionistëve për të larguar njerëzit nga Islami është se mundohen të zbulojnë të metat e hoxhallarëve dhe dijetarëve në mënyrë që pozita e tyre të bjerë dhe pastaj bashkë me ta të mposhtet edhe pozita e fesë ngase ata janë bartësit e saj; e nëse nuk kanë mundësi të gjejnë ndonjë të metë konkrete, atëherë sajojnë dhe pjellin të meta pa kurrfarë turpi.
Rol të njëjtë kanë edhe mediat tona në Kosovë, saqë siç duket kanë organizuar ekipe speciale për të hulumtuar në internet dhe në çdo vend tjetër që medoemos të gjejnë ndonjë "gabim" të ndonjë hoxhe e pastaj ai të bëhet çështja kryesore për të cilën duhet debatuar me ditë dhe javë të tëra.
Metodat e mediave për të luftuar Islamin duke luftuar hoxhallarët janë të shumta, por unë do të cek vetëm disa prej tyre:
1. Sulmet e njëpasnjëshme ndaj hoxhallarëve duke i etiketuar ndonjëherë si terroristë, fundamentalistë ose si talebanë të Tora Borës, duke i cilësuar se ata nuk i kanë shërbyer popullit ngase nuk janë atdhetarë apo se janë kundër vendit dhe popullit etj. Këto sulme të paskrupullta janë larg realitetit dhe aktualitetit tonë.
2. Moslejimi që hoxhallarët të dalin para popullit përmes mediave. E kur u jepet mundësia të dalin në raste të rralla, atëherë gazetarët përpiqen t'i paraqesin hoxhallarët si kontradiktorë dhe njerëz që nuk mund të ofrojnë zgjidhje për popullin.
3. Mbushja e programeve televizive me telenovela, muzikë, filma, lojëra të ndryshme sportive vetëm e vetëm që rinia të mos ketë kohë të merret me diçka tjetër, sidomos me çështjet e fesë së vet.
4. Hedhja e dyshimeve kundër hoxhallarëve dhe fesë duke organizuar takime dhe debate të shumta me njerëz të cilët e urrejnë fenë, ose së paku me njerëz që nuk kanë interesim fetar, duke hapur me persona të tillë tema që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fenë islame edhe pse ata nuk janë kompetentë për këto çështje, sikurse ka qenë rasti i shamisë, i mësim-besimit nëpër shkolla, madje debate edhe për rrezikun apo mosrrezikun e alkoolit! Në shumë raste të tilla nuk janë thirrur hoxhallarët fare, e atëherë kur janë thirrur nuk janë përfillur sa duhet.
5. Orvatja për të zbehur pozitën e hoxhallarëve duke u munduar me mish e me shpirt të paraqesin se hoxhallarët kanë mospjatim mes vete, janë të përçarë, nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin etj., e të gjitha këto tema duke i diskutuar përmes ekraneve televizive.
Janë të llojllojshme mënyrat e mediave për të arritur këto qëllime të ulëta, ngase ato i ndryshojnë standardet në bazë të situatës në vend, nganjëherë janë krejt të hapur kundër Islamit e nganjëherë gjuajnë nga larg dhe mundohen të fshehin dorën.
E gjithë kjo dhunë mediatike sistematike ushtrohet në emër të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, por lihet anash e drejta e njeriut si individ dhe e drejta e një hoxhe si prijës fetar, ngase hoxha përveçse ka të drejtat minimale si një individ në shoqëri, dallohet nga të tjerët me të drejta shtesë si prijës fetar dhe udhëheqës i një pjese të madhe të shoqërisë.
Të tallesh me një hoxhë pa kurrfarë të drejte, të shpifësh ndaj tij, të përbuzësh personalitetin e tij, përveçse konsiderohet tallje edhe me fenë, gjithashtu konsiderohet tallje dhe përbuzje e një numri të madh njerëzish, ngase dihet fort mirë se hoxha nuk përfaqëson vetëm veten e tij, por pas tij qëndrojnë një grup muslimanësh që lëndohen kur hoxha i tyre lëndohet.
Kështu që gazetarët e mençur duhet të ndalen dhe të kuptojnë se kjo mënyrë e trajtimit të Islamit dhe hoxhallarëve do të çojë deri tek rritja e mllefit dhe zemërimit mes shqiptarëve, do të krijojë taborë dhe konflikte mes popullit për të përfunduar me rezultate të cilat nuk do t'i dëshironte asnjëri prej nesh. E për të mos arritur aty ku nuk duhet, gazetarët duhet të jenë në dijeni të plotë se Islami dhe simbolet e tij janë të shenjta për muslimanët, andaj të ndalen njëherë e përgjithmonë nga ngacmimi i ndjenjave të shumicës absolute të popullatës në Kosovë, përndryshe le të përgatiten të bartin çdo pasojë të mundshme.
Është e çuditshme kur çdoherë përsërisim fjalët për ruajtjen e të drejtave të njeriut apo për të drejtat e femrës, madje edhe për të drejtat e kafshëve, sepse kështu na mësuan Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara, por a thua pse askush nuk u ngrit të flasë ndonjëherë për të drejtat e shtresës më të ndritur të një shoqërie islame?! Ku janë të drejtat e hoxhallarëve?
Kush do ngrihet dhe të thërrasë që të ruhen të drejtat e tyre, madje të ruhen edhe me ligj, që njëherë e përgjithmonë të kuptohet se të drejtat e tyre janë më parësore se çdo e drejtë tjetër e njerëzve apo kafshëve, andaj le t'i japim përparësi parësores ngase përndryshe do jemi të padrejtë ndaj vetes dhe vendit ku jetojmë.
Por a thua kur do të kemi rastin të përjetojmë ligjin për të drejtat e hoxhallarëve?!
O Zot, na përmirëso dhe na vetëdijeso!