Regjimi i Asadit shënjestron furrën më të madhe të Han Shejhunit

IDLIB (AA) - Regjimi i Asadit në Siri dhe grupet terroriste të huaja të mbështetura nga Irani kanë shënjestruar furrën më të madhe në qarkun Han Shejhun e cila gjendet brenda "zonës së deeskalimit në Idlib", raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e regjimit në sulmin e organizuar dje në orët e mesditës kanë shënjestruar furrën më të madhe të qarkut. Hazem Sermani, pronari i furrës në deklaratën për AA, tha se furra e cila plotësonte nevojën për bukë për të paktën 10 mijë familje, pas sulmit është e papërdorshme.

"Në sulm u dogjën dy linja të prodhimit. 6.000 litra naftë dhe 80 tonë miell. 70 për qind e furrës u dëmtua", tha ai, duke shtuar se kapaciteti i furrës është 200.000 bukë në ditë.

Forcat e regjimit që nga fillimi i muajit shkurt janë duke kryer sulme artilerike në qarqet më të mëdha të Idlibit, Han Shejhun dhe Marratinnuman ku jetojnë të pakën 250 mijë civilë.

Forcat e regjimit të Asadit nuk kanë ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit të nënshkruar mes Turqisë dhe Rusisë për të forcuar armëpushimin në Idlib. Ndërsa opozitarët ushtarakë më 10 tetor 2018 tërhoqën armët e rënda nga rajoni ashtu siç e parashikon edhe marrëveshja e Soçit, nënshkruar më 17 shtator 2018.


Më të lexuarat