Falej natën, duke qenë fëmijë

Kur i mësoi Ebu Jezid El-Bustami, duke qenë fëmijë, fjalët e Allahut: “O ti i mbuluar! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj!”[1] i tha babait të vet: “Baba, kujt i drejtohet Allahu me këto fjalë?

Babai iu përgjigj: “Pejgamberit tonë, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.”

Djaloshi vazhdoi, duke thënë: “Po përse nuk vepron edhe ti si i Dërguari i Allahut, o baba?!”

“Biri im, Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, duke ia bërë obligim namazin e natës, kurse ne të tjerët nuk jemi të obliguar me të.” -, ia ktheu babai.

Atëherë, fëmija heshti.

Mirëpo, kur i mësoi fjalët e Allahut: “Natyrisht, Zoti yt e di se ti (o Muhamed) falesh më pak se dy të tretat e natës, ndonjëherë gjysmën ose një të tretën e saj, si edhe disa prej atyre që janë me ty.”[2] i tha babait të tij: “Baba, po dëgjoj se disa njerëz faleshin natën, kush janë ata?!”

“Janë sahabët, shokët e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, biri im.” – ia ktheu babai.

“Po përse e lë atë që vepronin shokët e të Dërguarit (Allahu qoftë i kënaqur me ta)?” - , pyeti sërish djaloshi.

“Ke të drejtë, biri im. Nuk do ta lë më namazin e natës, insha-Allah (në dashtë Zoti).” Që nga ajo natë nuk e la më namazin e natës.

Një natë, Ebu Jezidi u zgjua dhe pa babanë e tij duke u falur, kështu që i tha atij: “Baba, më mëso të pastrohem dhe të falem sikurse ti.”

Babai i tha atij: “Biri im, shko fli, ngase ende je i vogël!”

Atëherë, djaloshi i tha atij: “Kur të vijë Dita e Kijametit, kur do të dalin njerëzit të vetmuar para Allahut për të parë atë që kanë punuar, do t’i them Zotit tim: “Zoti im, unë i kam thënë babait tim: “më mëso të pastrohem që të falem bashkë me ty”, kurse ai nuk ka pranuar dhe më ka thënë: “shko fli, sepse ende je i vogël.”

Me atë rast, babai i tha atij: “Për Zotin, nuk do të veproj ashtu.” Atëherë, ai e mësoi atë dhe që nga ajo natë djaloshi falej natën bashkë me babanë e vet.

 

 

Shkëputur nga libri: “Enbau nuxhebai’l-ebnai” fq. 185-187.

Përktheu: Jusuf H. Kastrati

 



[1] Sureja El-Muzzemmil: 1-2.

[2] Sureja El-Muzzemmil: 20.