Nga Ebu Hurejra - radijallahu anhu - transmetohet se i Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ka thënë: "Atij që merr rrugëtim për të kërkuar dituri do t’ia lehtësojë Allahu rrugën për në Xhenet."
Këtë hadith e shënon Tirmidhiu dhe e vlerëson si hadith hasen.
Domethënia e hadithit
Shkencat e sheriatit islam janë shkencat më të çmuara dhe më fisnike. Nxitja për mësimin e tyre është theksuar në Kuran dhe në sunnet. Në hadithin e lartpërmendur, Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - sqaron se ai që merr rrugëtim për të kërkuar dituri, qoftë duke u zhvendosur nga një vend në tjetrin ose duke marrë shkaqet që shpijnë në arritjen e diturisë, siç janë mësimi, kuptimi, mësimi përmendsh, etj., Allahu do t’ia lehtësojë atij arritjen në Xhenet, duke i dhënë sukses në vepra të mira, të cilat e afrojnë atë tek Allahu i Lartësuar dhe dhe bëhen shkak për të hyrë në Xhenet.
O Allahu ynë, Zoti i botëve, bëna dobi me atë që na e mëson dhe mësona atë që na bën dobi!
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhammedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij!
Dobitë e hadithit
1. Vlera e shkencave islame në përgjithësi është shumë e madhe.
2. Udhëtimi për kërkimin e diturisë është i pëlqyer dhe shpërblimi për të tek Allahu është shumë i madh.
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” në Riad