
Koha Ditore shkruan sot se ky “kërcënim” nuk i ka shqetësuar drejtuesit e PDK-së. Ata janë të gatshëm të hyjnë në zgjedhje të parakohshme, por jo edhe t’ia garantojnë Pacollit postin e njeriut të parë të shtetit.
Sipas gazetës, Aleanca Kosova e Re e ka kushtëzuar qëndrimin e saj në koalicionin qeverisës me marrjen e garancisë nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, se Behgjet Pacolli do të rizgjidhet president i Kosovës. Zyrtarë të lartë të kësaj partie nuk e përjashtojnë mundësinë e tërheqjes së ministrave të vet nga kabineti qeveritar, qysh në fillim të javës së ardhshme, nëse Thaçi nuk arrin ta japë një garanci të tillë. Mirëpo ka edhe të atillë, brenda AKR-së, që konsiderojnë se partneriteti me PDK-në nuk ka ardhur deri në këtë pikë. Ushtruesi i detyrës së presidentit të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë të shtunën se fillimisht duhet pritur nëse PDK-ja do ta përmbushë marrëveshjen për koalicion, të nënshkruar më 19 shkurt, e më pas të marrë hapa konkretë. “Thaçi e ka për obligim ta respektojë marrëveshjen që Presidenca duhet të drejtohet nga AKR-ja. Nëse nuk e përmbush atë, atëherë ne s’kemi pse të qëndrojmë në koalicion me PDK-në”, ka thënë Makolli.