
Greva, sipas kreut të farmacistëve të Kosovës, ka nisur si kundërpërgjigje ndaj aksioneve arbitrare dhe të përsëritura të ndërmarra nga ana e Doganave të Kosovës në barnatoret e vendit, edhe pas reagimeve të shumta nga ana e komunitetit farmaceutik, u detyruam të marrim vendimin për organizimin e grevës 24-orëshe me mbyllje të të gjitha barnatoreve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Farmacistët e bëjnë fajtore për këtë hap edhe AKPM-në dhe vetë Ministrinë.
Sipas një njoftimi të shoqatës që ai përfaqëson, thuhet se “aksionet e lartpërmendura kanë qenë shumë fyese dhe denigruese për komunitetin farmaceutik të Kosovës, posaçërisht duke pasur parasysh që thelbi dhe shkaktari i situatës së krijuar janë vetë institucionet e Kosovës, përkatësisht Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, Ministria ë Shëndetësisë dhe Doganat e Kosovës si pjesë e Task Forcës”.
Ministri Agani, ndërkaq, ka deklaruar të hënën për “Kohën Ditore” se “veprimet e Doganave dhe të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike janë veprime të bazuara në ligj. Më pas ai ka thënë se është pjesë e përgjegjësisë së të gjithëve që të kenë kujdes të veçantë në ruajtjen e shëndetit të pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për shtyp e ka vlerësuar protestën e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës si “veprim të panevojshëm, që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik të vendit”.
“ Ministria e Shëndetësisë kërkon nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës që aktivitetet e paralajmëruara të jenë në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor dhe duke parandaluar në tërësi rrezikimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të jetës ose të shëndetit të qytetarëve; në mes të tjerave edhe duke organizuar shërbimin e kujdestarisë së barnatoreve në gjithë territorin e vendit në pajtim me nenin 16 të Ligjit për greva”, thuhej në komunikatën e djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Farmacistët kanë kërkuar që të ndërpriten menjëherë aksionet e Doganave të Kosovës dhe TASK FORCËS nëpër barnatoret e Kosovës, pastaj që AKPM-ja së bashku me MSH-në të marrë përgjegjësitë që i takojnë për rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës, duke lejuar importin e barnave nga vendet e BE-së, e të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë (nuk kanë autorizim marketingu), të cilat janë të domosdoshme për tregun e Kosovës.
“Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të dënimeve prej 5.000.00 eurosh të lëshuara nga Doganat në barnatoret e Kosovës. Barnatoret si institucione shëndetësore janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, prandaj inspektimi të bëhet vetëm nga Inspektorati farmaceutik”, thuhet në listën e kërkesave që kanë paraqitur farmacitë.
Ata janë kërcënuar se nëse pas grevës së parë kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë greva do të vazhdojë për kohë të pacaktuar deri në përmbushjen e tërësishme të tyre./koha/