Fronti popullor i Kosovës për kultivimin e veprës revolucionare të Enverit, sërish ka organizuar, në Ferizaj, festimin publik të 103 vjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha.
“Të bashkuar e përkujtojmë dhe nderojmë me pietet të lartë ditën kur para plot 103 viteve, në një skaj të tokës së Shqipërisë, u lind një nga personalitetet më të shquara në historinë mijëvjeçare të popullit tonë, i cili me guximin, vigjilencën, përkushtimin, revolucionaritetin, atdhedashurinë, u bë diell i tokës dhe popullit shqiptar”, ishin fjalët e drejtuesit të Frontit, Remzi Hasanit, transmeton “Koha.net”.
Hasani ka renditur të dhëna nga zhvillimi i Shqipërisë socialiste, duke e quajtur atë kohë si “epokë e lavdishme”. Ndërsa, ndryshimet postkomuniste për të ishin “thjesht demokraci fashiste”.
Elizabeta Marku, nga Shqipëria, kujtoi kohën kur ishte pioniere e shokut Enver, duke shprehur lumturinë që në “sytë e kosovarëve e sheh dashurinë për Enverin”. Mustafë Kelmendi nga Peja ishte kujdesur ta shkruante një poezi për xhaxhin Enver, ndërsa kryetari i SHFD-së në Ferizaj, Gafurr Bytyçi, besonte se “Enver Hoxha ishte gjenial” dhe se “ me armët që ai ia la Shqipërisë, UÇK-ja ia solli lirinë Kosovës”.
Ky shënim i ditëlindjes së ish-diktatorit komunist u mbyll nën tingujt e këngës “buzë Adriatikut rreze lëshon Shqipëria, ne kemi partinë, ne kemi Enverin që na prinë”.
Pasardhësi i Enverit, Ramiz Alija, i cili ndërroi jetë para pak ditësh, nuk u zë në gojë as për një çast të vetëm. /Telegrafi/