Barrikadë e re, gjendje e tensionuar

Barrikada në Jagnjenicë u mor një ditë më parë nga KFOR-i, por serbët ngritën një të re, 500 metra më larg të vjetrës.

Largimi i barrikadës në këtë vendbanim të komunës së Zubin Potokut u pasua me dhunë të protestuesve ndaj ushtarëve të KFOR-it, të cilët fillimisht plagosën dy paqeruajtës gjermanë me armë zjarri.

Por, dhuna nuk është ndalur as gjatë pasdites së djeshme, kur nga koktej molotovi dhe mjete të tjera shpërthyese janë lënduar 23 ushtarë të tjerë.

“Ushtarët po trajtohen në disa nga kampet e ushtarëve. Ne do të njoftojmë më vonë në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvi, i cili shpjegon se, gjatë natës, situata ka qenë e qetë dhe se nuk ka pasur incidente të tjera.

Gjatë largimit të barrikadave, nga përdorimi i gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe sprejit djegës, raportohet se janë lënduar dhjetëra protestues serbë. Por, ky informacion edhe më tej mbetet i pakonfirmuar nga autoritetet legjitime.

Sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e kanë dënuar njëzëri, një ditë më parë, institucionet e Kosovës, misioni i EULEX-it, si dhe vetë selia qendrore e NATO-s.

“Këto veprime nuk bëjnë pjesë në protestat legjitime dhe shpresojmë se sot nuk do të shohim përsëritjen e ditës së djeshme”, tha Harvi, duke theksuar se demonstratat e djeshme nuk kanë qenë paqësore, por kriminale.

Përplasja e djeshme pason atë të 24 nëntorit, me ç’rast 21 ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime, pas përpjekjeve për të larguar një barrikadë në veri të Kosovës. KFOR-i i arsyeton veprimet e veta.

“Veprimet e KFOR-it, në ditën e djeshme, kanë qenë në linjë me mandatin e tij për të rivënë lëvizjen e lirë, të pakushtëzuar për të gjithë. Operacioni ka qenë i suksesshëm dhe është kryer pa dhunë. Megjithatë, më vonë, protestuesit sulmuan ushtarët e KFOR-it duke përdorur armë të vogla zjarri, mjete shpërthyese dhe koktej molotovi”, tha Harvi.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore.

Ato janë vendosur nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

Veriu, që nga paslufta, kontrollohet nga strukturat paralele serbe, të financuara nga Qeveria e Serbisë në Beograd./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat