
Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë filluar diskutimet për të dalë më një kandidat të përbashkët për president të vendit.
Vetëm pak ditë pasi u përfol emri i Blerim Shalës, si propozim i AAK-së për kandidat për president, si dhe lakimi i emrit të Sabri Hamitit nga LDK-ja, si kandidat i kësaj partie, burime të “Ekonomistit”, nga të dy këto kampe politike, kanë treguar se i janë ‘futur’ bisedimeve joformale që të heqin dorë nga propozimet e tyre partiake dhe të dalin më një kandidat të përbashkët.
AAK-ja, sipas këtij burimi, ka propozuar që kandidati për president nga AAK dhe LDK, të jetë Murat Jasharin, ndërsa LDK-ja sipas tij, ka hedhur idenë që të shqyrtohet mundësia edhe e kandidimit të Veton Surroit.
“Gjatë disa takimeve që kemi zhvilluar me përfaqësues të LDK-së, ku kemi biseduar datën e zgjedhjeve ka dalë edhe ideja e propozimit të një emri të përbashkët për president. Ne kemi propozuar që kandidat i përbashkët dhe i cili do të jetë reprezentues me i denjë i qytetarëve të Kosovës të kandidohet Murat Jashari. Këtë propozim ne e kemi bërë duke pasur parasysh se me figurën e Murat Jasharit, përfaqësohet lufta çlirimtare si dhe e ardhmja e Kosovës. Kjo për shkak se ai është një përfaqësues i denjë i familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe njëri i shkolluar dhe i matur që është dëshmuar gjatë këtyre viteve. Jashari ka treguar pjekuri dhe ka qenë pikë takimi e gjitha poleve politike dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë burimi agjencisë duke kërkuar të mbetet anonim për shkak se siç thotë ai është i besuari i AAK-së si interlokutor në këto bisedime.
Sipas tij, ky propozim është mirëpritur nga përfaqësuesit e LDK-së, mirëpo, ata, siç thotë ai kanë preferuar që si kandidat i përbashkët i LDK-së dhe AAK-së, të shqyrtohet mundësia e kandidimit të Veton Surroit.
“Ky propozim i LDK-së, si duket ka dalë si rezultat i vlerësimit të tyre se Surroj do të ishte kandidat me i fortë për shkak të përvojës së tij politike, përkrahjes ndërkombëtare dhe fuqisë mediale qe ka”, ka potencuar i njëjti burim.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e LDK-së, janë befasuar kur i është kërkuar një prononcim lidhur me këto bisedime. Ata kanë kërkuar që ky lajm mos të publikohet për shkak se, siç thonë ata akoma është herët të diskutohet për këtë çështje.
Mirëpo pas insistimeve të agjencisë, ata kanë pranuar që janë duke zhvilluar bisedime lidhur më mundësinë e daljes me një kandidat të përbashkët me AAK-në.
“Ne jemi duke biseduar për kandidaturën e presidentit. Është e vërtetë që dy këta emra që përmendni ju, janë përmendur gjatë disa takimeve joformale që kemi pasur me përfaqësuesit e AAK-së. Mirëpo ne si LDK edhe me tutje jemi duke diskutuar se cili do të ishte kandidati i propozuar nga LDK-ja e i cili do të ishte me i pranueshëm për gjithë qytetarët e vendit”.
Emri i Murat Jasharit, siç është duke u diskutuar brenda dy këtyre partive politike, do të jetë pika me e fuqishme e tyre për ta mundur sfidantin e PDK-së, i cili përflitet se do të jetë vetë kryeministri aktual Hashim Thaçi.
Jashri, po ashtu, mendohet së do të marrë përkrahjen edhe nga pjesa tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, madje ata thonë se Jashari mund të marrë përkrahjen edhe nga një pjesë e madhe e PDK-së, që tani përfaqësohet nga‘fraksioni’ i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe deputetit Fatmir Limaj.
Zyrtarë të AAK-së, po ashtu kanë thënë se kjo ide për të kandiduar Murat Jasharin për president, nuk ka ardhur tani, por ka qenë dëshirë e shprehur edhe publikisht nga lideri i saj, Ramush Haradinaj para shkuarjes se tij në Hagës./ekonomisti/