
Ismet Beka, babai i Flaktrimit, thotë se ata janë rrahur brutalisht nga mësimdhënësi i cili kishte shkuar në shkollën e Turiqefcit, i kishte gjetur ata dhe kishte filluar t’i rrahë, në shenjë hakmarrje pse ata më përpara kishin rrahur djalin e tij.
Ai tha se ishte me fat djali i tij, pasi që kishin ndërhyrë njerëz për ta shpëtuar.
“Më shumë e ka rrahur atë nxënësin tjetër, Halitin, atij i ka rënë edhe me shufra, me boksa e me çka jo.. Djalin tim e ka rrahur brenda rrethojave të shkollës. Kjo dhunë e ushtruar është e paparë. Nëse nxënësit nuk janë të sigurt as brenda rrethojave të shkollës, atëherë më mirë t’i ndalim prej shkolle. Aq më keq, që një akt të tillë çnjerëzor e bën një pedagog. Është fatkeqësi, që një mësimdhënës vjen nga shkolla tjetër dhe i rrah fëmijët duke ua rrezikuar edhe jetën. Këtë mund ta bëjë vetëm një i çmendur”, thotë Beka, arsimtar në shkollën e Turiqefcit, djali i të cilit është trajtuar në spital dhe tani po mjekohet.
“Mjeku ka konstatuar shkallën e lëndimeve dhe certifikata është në polici. Nuk e di për atë fëmijën tjetër...”, thotë Beka.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës nëntëvjeçare në Turiqefc, Ilmi Thaçi, ka qenë i prerë: “Sot kam dëgjuar për këtë rast edhe nuk di çka të them, përveç se rasti nuk ka ndodhur brenda rrethojave të shkollës”, tha ai.
Zëdhënësi rajonal i policisë, toger Besim Hoti, tha se rasti nuk ka të bëjë me procesin mësimor, pasi që profesori është i një shkolle tjetër dhe se ai ka ndodhur jashtë objekteve shkollore.
“Megjithatë, profesori i dyshuar është intervistuar dhe rasti ka kaluar në gjykatë me procedurë të rregullt për veprën “shkaktim i lëndimeve të lehta trupore”./zeri/