
Drejtues të Inspektoratit Policor i Kosovës kanë konfirmuar të hënën se vetëm për periudhën qershor-nëntor janë raportuar 113 raste si të dyshuara për përfshirjen e zyrtarëve policorë në vepra të ndryshme penale, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës zyrtare e deri te mitmarrja.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani, tha se institucioni që drejton ai, që nga koha e marrjes së kompetencave të reja, përveç reformave brenda vetë IPK-së është ballafaquar edhe me shumë veprime të kundërligjshme që supozohet se i kanë kryer pjesëtarët policorë.
“Nga 113 raste të raportuara, janë ngritur 42 kallëzime penale, prej të cilave janë ngritur 8 aktakuza për veprime të policisë, ndërsa veprat kanë qenë nga më të ndryshme, duke filluar nga shpërdorimi i pozitës zyrtare, marrje ryshfetit, rrezikim i trafikut publik, lëndim i lehtë, dhuna në familje, kanosje, etj”, ka thënë Shishani.
Sipas tij, përveç 42 rasteve të kallëzimeve penale, rastet e tjera janë në proces dhe i mbetet prokurorëve që të ngritin aktakuza apo jo. Ai tha se rajonet më problematike që pjesëtarët e policisë kanë rënë ndesh me ligjin janë rajoni i Prishtinës me 34 vepra, Prizreni me 23, Mitrovica 19... etj.
Kreyshefi Shishani konfirmoi se nga të gjitha këto raste, vetëm një është shpallur fajtor nga gjykata, derisa mohoi që edhe zyrtarët e IPK-së të jenë të përfshirë nëpër veprimtari të ndryshme të jashtëligjshme.
Këto komente, Fitim Shishani i bëri gjatë lansimit të fushatës nga Ministria e Punëve të Brendshme për promovimin e punës së IPK-së, me ç’rast gjithë qytetarët mund të kontaktojnë këtë institucion për të lajmëruar rastet kur policët bëjnë shkelje.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasha Rashiq foli për rëndësinë e lansimit të kësaj fushate, që sipas tij, ka për qëllim që krahas prioriteteve institucionale për luftimin e kriminalitetit, të ndërtohet edhe një polici e përgjegjshme në raport me qytetarët.
“Ekziston vullneti politik dhe policor për të luftuar kriminalitetin. Andaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës ka për qëllim që të përparoj shoqërinë multietnike që qytetarët të jenë të sigurt dhe të realizojnë të drejtat e tyre”, ka thënë Rashiq, duke shtuar se lufta kundër kriminalitetit mund të ketë efekt vetëm nëse të gjithë bashkohemi në luftimin e dukurive negative./zeri/