Ka vdekur M.M, vajza katërmbëdhjetë vjeçe nga Vushtrria, e plagosur aksidentalisht me armë zjarri në natën e Vitit të Ri nga një familjar i saj, i cili kishte shkrepur plumbat për të shprehur gëzimin për ardhjen e Vitit të Ri.
Nga ajo natë, si pasojë e djegieve në trup, në gjendje të rëndë kome dhe i shtrirë në QKUK është edhe 29 vjeçari Ilir Rraci. Nata e ndërrimit të viteve la në Kosovë 27 të lënduar.
Viti 2012 ishte fatkeq për një vajzë katërmbëdhjetë vjeçe nga Vushtrria. Ajo nuk do t’u bashkohet të martën shokëve dhe shoqeve të klasës për të nisur gjysmë vjetorin e dytë, shkruan gazeta “Express”.
Kjo vajzë ka vdekur tetë ditë pas ndërrimit të moteve. Tetë ditë pas asaj mbrëmjeje të gëzueshme, e cila në mesnatë u kthye në tragjedi, 14 vjeçarja vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Këtë rast të rëndë e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur natën e Vitit të Ri, ku vajza është plagosur aksidentalisht nga gjyshi i saj.
Por jo vetëm M.M është viktimë e plumbave në natën e ndërrimit të moteve. F.B është plagosur në kokë nga një plumb që familjarët nuk e dinë nga i ka ardhur.
Megjithëkëtë, fatmirësisht F.B, djaloshi katërmbëdhjetë vjeç nga Ferizaj, nuk e pat fatin e njëjtë e M.M. Ai ka shpëtuar nga rreziku dhe tashmë gjendet duke u kuruar në QKUK.
Një tjetër qytetar është duke luftuar me jetën. Ilir Rraci (29) gjendet në koma që nga nata e Vitit të Ri. Sipas mjekëve, tridhjetë për qind e trupit të tij është djegur nga mjetet piroteknike. Ai tashmë gjendet nën kujdesin intensiv dhe është në gjendje shumë të rëndë. /Telegrafi/