Disa qindra qytetarë u janë përgjigjur thirrjes së organizatave joqeveritare në Kosovë, për të protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kundër veprimeve të policisë ndaj qytetarëve dhe aktivistëve të Vetëvendosjes, më 14 dhjetor në pikat kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Nën moton “Qeveria policore dhunoi qytetarët dhe institucionet e shtetit të Kosovës”, ata kanë brohoritur parullën “Hajna, hajna”, “marre, marre”, etj..
Ndërsa, Lorik Bajrami, nga organizata “Çohu”, njëra nga 25 OJQ organizatore të kësaj proteste, ka thënë para të tubuarve se, kjo protestë mbahet në shenjë pakënaqësie ndaj intervenimit të dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj protestuesve, të shtunën e kaluar.
Organizatat joqeveritare po ashtu kanë shprehur revoltën ndaj qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila – sipas tyre – përmes deklaratave të saj ka legjitimuar dhunën e Qeverisë së Kosovës ndaj qytetarëve. /Zëri/