Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në gjithë Evropën Lindore.
Ministria për Situata Emergjente në Ukrainë tha se, në ditët e fundit, 18 njerëz kanë ndërruar jetë nga hipotermia, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Që nga e premtja, së paku 10 viktima nga të ftohtët janë regjistruar edhe në Poloni, ku temperaturat kanë arritur në -26 gradë Celsius.
Në Serbi, tre persona kanë vdekur, ndërsa 14 komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Në Bullgari dhe në Çeki është shënuar nga një viktimë. Personi që u ngri nga të ftohtët pranë qytetit Opava të Çekisë, ishte 26 vjeç. /rel/