Republika e Ugandës bëhet shteti i 88-të që e njohu pavarësinë e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli, Jetlir Zyberaj, i cili në një konferencë për media e kumtoi lajmin dhe solli më vete edhe letrën verbale të këtij shteti, e cila kishte arritur sot në adresën e zyrës së Pacollit.
Ndonëse në konferencën për media, gazetarët kanë pritur se këtë lajm do ta kumtojë pikërisht zëvendëskryeministri, Behxhet Pacolli, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që, siç njoftuan nga zyra e tij, ai në çastet e fundit kishte udhëtuar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin për në Shqipëri.
Megjithatë, Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, pati kënaqësinë që në mungesë të shefit të tij, lajmin për njohjen ta kumtojë vetë.
“Kam kënaqësinë që t’ju njoftoj që Republika e Ugandës është shteti i 88 i OKB-së që e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Këtu e kemi edhe notën verbale e cila ka arrit sot”, ka thënë Zyberaj.
I pyetur nga gazetarët se ku ka ardhur nota verbale e këtij shteti, Zyberaj ka thënë se kjo notë ka ardhur në zyrën e Pacollit, pasi, sipas tij, ai e ka zhvilluar aktivitetin diplomatik dhe kanali ndërlidhës i qeverisë së Kosovës me kontinentin e Afrikës. Por, ai nuk e sheh si shumë të rëndësishme se në cilën adresë ka ardhur nota verbale.
“Meqenëse zotëri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet diplomatik dhe ka qenë një kanal me kontinentin e Afrikës, një ndërlidhës i Qeverisë së Kosovës. Fundja, kjo është pak e rëndësishme”, ka thënë Zyberaj.
Ai ka shtuar se, ashtu siç ka deklaruar zëvendëskryeministri Pacolli, Kosova në këtë vit, jo që e synon, por do ta arrijë numrin e 100 njohjeve dhe për këtë thotë se janë shumë të sigurt, bile shpresojnë se do të tejkalohet ky numër.
Ndryshe, Republika e Ugandës është shtet që shtrihet në kontinentin e Afrikës, kryeqyteti i saj është Kampala. Ka një territor rreth 236 mijë metra katrorë dhe me një popullsi prej 32 milionë, e cila e ka shpallë pavarësinë më 1962 nga Mbretëria e Bashkuar. /Kosovapress/