Rreth 60 nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, kanë bojkotuar të mërkurën mësimin në shenjë proteste kundër largimit nga shkolla të shoqeve të tyre që mbajnë shami në kokë.
“Ligji për shaminë, për shkollat fillore dhe të mesme është aprovuar në Parlamentin e Kosovës dhe ai duhet të zbatohet”, ka thënë drejtori i gjimnazit “Frang Bardhi” Ahmet Fazliu.
Ai tha se shkolla që ai drejton ka gjithsej 7 nxënëse me shami, dhe se të martën i ka ftuar ato në zyrë dhe u ka kumtuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit, sipas të cilit ato nuk do të kenë mundësinë të vazhdojnë procesin mësimor në të ardhmen, nëse vazhdojnë të vijnë me shami në kokë.
“Secilës nga nxënëseve ua kam dhënë vendimin e Drejtorisë së Arsimit, në mënyrë që sa më hollësisht të njoftojnë prindërit e tyre, ndërsa u kam premtuar se një javë para përfundimit të procesit mësimor do t’i ftojmë ato që t’i nënshtrohen provimeve të lëndëve, për të marrë klasën dhe për t’mos humbur vitin”, ka thënë Fazliu.
Sipas tij, ai me keqardhje është dashur ta zbatojë këtë vendim, por ky është ligji dhe ai është i obliguar ta zbatojë.
Ai kërkoi nga nxënëset t’i kthehen mësimit, sepse nëse për tre ditë mungojnë pa arsye, atëherë në bazë të ligjit nuk janë nxënës të rregullt të kësaj shkolle dhe mund ta humbin vitin.
“Kam kërkuar nga nxënëset që të enjten të vijnë me prindërit e tyre në shkollë dhe të sqarojmë problemin”, ka thënë mes tjerash Fazliu.
Në anën tjetër, Behar Salihu, nxënës i klasës 12/17 të kësaj shkolle, tha se janë 7 klasë që kanë dalë për të protestuar kundër ndalimit të ardhjes në shkollë të shoqeve, të cilat janë të mbuluara.
Nxënëset me shami, Fatime Veliu 12/17 dhe Raza Zena 12/12, të dyja nxënëse të shkëlqyeshme, thanë se mbajtja e shamisë është e drejtë e tyre personale.
“Shamitë tona nuk duhet ta pengojnë askë. Ne deri tani nuk kemi shkaktuar asnjë problem, por nuk kuptojmë pse të përjashtohemi tani kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të vitit”, thanë ato.
Edhe udhëheqësi i Lëvizjes “Koha”, Ferdi Kadriu, po ashtu nxënës i gjimnazit, theksoi se do të protestojnë në oborrin e shkollës deri sa t’i lejojnë nxënëset me shami që ta vijojnë mësimin./Kosovapress/