Në vendet e pasura, të ardhurat e larta të politikanit duken gjë normale. Por, faktet tregojnë se pasuria e shtetit nuk ka lidhje me pasurinë e politikanëve.
Kenia në këtë rast ka një avantazh, sepse kryeministri i këtij vendi e tejkalon presidentit amerikan Barack Obama, me “vetëm” 27 mijë dollarë më shumë.
Te vendet e pasura evropiane, më së miri kalon shefi i shtetit francez, Nicolas Sarkozy, me 302 mijë dollarë. Ndërsa, pas tij qëndron bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila brenda një viti merr 283 mijë dollarë.
Kryeministri italian, Mario Monti, i cili respektohet në Evropë për shkak të reformave në vendin e tij, nuk fiton asgjë si i pari qeverisë, sepse ka vendosur ta mbajë vetëm pagën e senatorit, që është 260 mijë dollarë në vit.
Barack Obama, duke pas parasysh fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara, merr “vetëm” 400 mijë dollarë çdo 12 muaj.
Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, sipas hulumtimit të Investopedias, në vitin 2010 ka marrë 2.2 milionë dollarë. Me këtë pagë, ai vërtet nuk ka nevojë të merret me korrupsionin, që është mbase honorari favorit i shumë politikanëve në botë.
Se sa zemërgjerë janë banorët e Singaporit ndaj liderit të tyre, tregon edhe fakti se 60-vjeçari Loong paguhet katër herë më shumë se kryeministri i Hong Kongut, Donald Tsang. Ky i fundit merr 513 mijë dollarë, gjë që e bën të jetë i dyti në listën e liderëve më të paguar të botës.
I treti në renditje është kryeministri i Kenisë, Raila Odinga, i cili fiton 427 mijë dollarë, 6 për qind më shumë se “bashkëkombësi” i tij Obama. Duke pasur parasysh standardin që ekziston në Kenia, Odinga është politikan më së miri i paguar në planet.
Një nga kriteret për vlerësimin e të ardhurave të politikanëve është krahasimi i pagave me fuqinë blerëse të qytetarëve dhe pagat e tyre mesatare. Investopedia i ka llogaritur fitimet në bazë të të dhënave për gjendjen financiare të vitit 2010, të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Me këtë kriter, bindshëm më i paguari është Odinga, fuqia blerëse e të cilit është 255,3 herë më e madhe se e një keniani mesatar.
Pasaniku i Singaporit, Loong, është më i moderuar, sepse me fuqinë e tij blerëse i kalon bashkëqytetarët me 38,5 herë. Ndërsa, duke ditur se çmimet në Singapor janë më të larta se në Keni, atëherë dollarët e Odingut vlejnë shumë më shumë!.
Edhe pse paga e Loongut është e madhe, Singapori është vend ku lehtë mund të bësh tregti, prandaj të ardhurat e tij mund të justifikohen. Ndërsa, Odinga mund të mburret se shteti i tij është një nga më të korruptuarit në botë.
Shtetet e pasura me naftë i mbajnë mirë politikanët e tyre, edhe pse në disa raste fjala nuk është për funksione politike si në demokracitë perëndimore.
Hassanal Bolkiah, Sulltani i Bruneit, udhëheq shtetin e tij 44 vite rresht dhe “lahet” në pasurinë e 20 miliardë dollarëve, të realizuara me tregti të naftës dhe të gazit.
Mbreti saudit, Abdullah bin Abdul-Aziz Al Saud, është sundimtar prej 1 gushti 2005. Nën sundimin e tij është intensifikuar prodhimi i naftës në Arabinë Saudite, me ngritje vjetore prej 4 për qind. Thesari i tij vlerësohet në 18 miliardë dollarë.
Sheiku Khalifa bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, që është president i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe emiri i Abu Dabit, krenohet me pasurinë prej 15 miliardë dollarësh, të cilën e ka realizuar me biznesin e naftës dhe të patundshmërive. Me këtë pasuri, paga e tij është vërtet e parëndësishme.
Mbreti i Tajlandës, Phumiphon Adunyadet (emri i të cilit nga disa shkruhet Bhumibol Adulyadej), ngjallë zili. Një prej mbretërve më të paguar në planet, gjatë 60 viteve të sundimit të tij ka grumbulluar 10 miliardë dollarë, pak nga patundshmëritë, pak nga investimet në bursa, e pak edhe nga trashëgimia./lajmonline/