Në konferencën e tretë për media të mbajtur në orën 16.00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi të dhënat e daljes në votim, deri në orën 15.30.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se 18655 votues ose 19.54 % e qytetarëve të Ferizajt, kanë dalë në votime.
“Deri më tani, edhe Pilot- projekti “K-vote”, të cilin KQZ është duke e përdorur në këtë proces zgjedhor, ka funksionuar mirë dhe sipas këtij projekti, deri në orën 15.00, kanë votuar 18.54% ose, 17700 votues. Ndërsa, nga raporti të cilin e kemi pranuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Ferizaj, disa çështje të ngritura në ndërkohë janë trajtuar nga KQZ, dhe kemi marrë konfirmime se këto çështje tashmë janë evituar. Deri më tani, nuk është raportuar asnjë incident, i cili do ta dëmtonte imazhin e këtij procesi zgjedhor”, tha në këtë konferencë për media, kryetarja Daka. /Zëri/