Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” i janë përgjigjur dhjetëra mijëra qytetarë, të enjten. Po ashtu, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i janë bashkuar simbolikisht aksionit, që ka nisur në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, pranë shkollës “Xhemajl Mustafa”.
Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” thotë se vetëm në orët e paradites dhjetëra mijëra qytetarë i janë bashkuar aksionit më të madh të pastrimit në Kosovë. Në faqen zyrtare të kësaj iniciative në Facebook, vlerësohet se rreth 60,000 qytetarë i janë bashkuar, deri rreth orës 13, aktiviteteve për pastrim, të cilat po vazhdojnë në gjithë Kosovën.
Forcat e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu, po e ndihmojnë aksionin me kamionë dhe makineri tjetër për mbledhjen e mbeturinave.
Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i janë bashkuar simbolikisht aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, pranë shkollës “Xhemajl Mustafa”.
Aktivitete për pastrimin e mjedisit janë organizuar sot në gjithë Kosovën, si pjesë e fushatës në më shumë se 100 shtete të botës, e njohur me emrin “Let’s do it World”.
Presidentja Jahjaga me këtë rast theksoi se ky aksion për pastrimin e mjedisit duhet të vazhdojë në baza të rregullta.
“Sot kemi dalë që të përkrahim një iniciativë të këtillë, sepse Kosova është atdheu ynë dhe secili prej nesh dëshiron që ta ketë një vendbanim, një lagje dhe një qytet më të bukur, më të mirë dhe më të pastër. Është një iniciativë shumë e mirë të cilës edhe Republika e Kosovës i është bashkangjitur, iniciativë që tanimë ka filluar në mbi100 shtete të tjera dhe që ka aspektin vullnetar të qytetarëve të ndryshëm, që është iniciativë që quhet “Let’s do it World”, tha ajo.
Jahjaga u shpreh se çështja e vetëdijesimit të njerëzve për mbrojtjen e mjedisit nuk është punë e një dite, por është punë e përditshme.
Nga ana e tij, kryeministri Thaçi ka theksuar se patriotizmi më i madh sot është që ta zhvillojmë dhe ndërtojmë një Kosovë të pastër.
“Sot janë të gjithë na aksion, dhe unë kam besim të plotë që ky aksion do të vazhdoj edhe në të ardhmen, dhe do të rritet dhe do të kultivohet edukata e gjithanshme, sepse ambienti është i yni, dhe ambienti është jeta jonë është shëndeti ynë”, ka thënë Thaçi.
Dhjetëra organizata të shoqërisë civile, përfshirë Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), i janë bashkuara aksionit me qëllimin fisnik - pastrimin e vendit nga mbeturinat.
Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkëngjiten aksionit dhe të pastrojnë lagjet dhe vendbanimet ku jetojnë./gazetajnk/