Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi bëri të ditur se pas incidenteve të mëngjesit në pikë-kalimin me Serbinë, në Merdare, Kosova ka mbyllur përkohësisht kufirin.
Ministri Rexhepi raportoi në Kuvend për incidentet, që kanë ndodhur në Mitrovicë e në Merdare, si pasojë e sjelljeve huligane të grupeve e individëve ekstremistë serbë.
Në seancë ai ka deklaruar se në këto incidente janë lënduar 32 policë, por asnjë me armë zjarri dhe asnjë rëndë.
Lëndimet kanë ndodhur pasi dy autobusë me serbë u ndaluan në Vushtrri nga Policia e Kosovës, të cilët jo vetëm që provokuan policinë por edhe manifestuan sjellje të rrezikshme, meqë ishin të dehur, prandaj u depërtuan përmes pikë-kalimit në Merdare.
Serbët nga zona neutrale hodhën gurë mbi policët. Për pasojë 32 policë u lënduan, nga të cilët 9 patën nevojë të trajtohen në QKUK.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka konfirmuar se nëntë policë të Kosovës kanë kërkuar ndihmë në Spital.
Drejtues të kësaj qendre, kanë thënë se të gjithë policët janë të lënduar nga mjetet e forta, duke përfshirë edhe gurët, ndërsa kanë mohuar që të lënduarit jenë plagosur me armë zjarri.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, ka shpjeguar për mediat natyrën dhe gjendjen e policëve të lënduar të cilët janë duke u mjekuar në këtë qendër.
Sipas tij me të marr informatën që në Merdare ka policë të lënduar, është krijuar shtabi emergjentë dhe janë bërë përgatitjet e duhura për përkujdesjen e të lënduarve.
Ai ka deklaruar se të gjithë të policët e shtruar në këtë qendër janë të lënduar, si pasojë e goditjeve me gurë dhe jo me armë zjarri.
Lenjani, po ashtu, ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në qendrën emergjente.
Sipas tij, dy nga të lënduarit kanë marr lëndime më të rënda dhe se pritet të hospitalizohen në Klinikën e Kirurgjisë, në mënyrë që të përcillet gjendja e tyre në 48 orët e ardhshme.
Ndërsa të tjerët, pas diagnostikimit dhe shërbimeve konsultative laboratorike dhe radiologjike, do të lirohen për shërim të mëtutjeshme në shtëpi./rtk/