Është arrestuar njeriu më i kërkuar në Kosovë. Ai është Enver Sekiraça, i cili akuzohet edhe për vrasjen e policit të Njësisë së Speciale, Triumf Riza. Burime brenda policisë kanë treguar se Sekiraqa është arrestuar rreth orës 15:30.
“Enver Sekiraqa është në duart e policisë”, ka thënë një zyrtar i lartë policor në kusht anonimiteti, transmeton ExpresOnline.
Më herët për Sekiraqën ka pasur njoftime se ndodhet në Republikën e Irlandës, ndërkohë para disa ditësh pati dështuar një aksion i policisë për ta arrestuar atë në Prishtinë.
Sekiraqa akuzohet edhe për vepra të tjera penale.
Ndërsa gjatë ditës portali Indeksonline kishte raportuar se policia kishte arrestuar po sot Agron Eminin dhe Shpend Bobajn, dy persona nga klani i Enver Sekiraqës.
Këta dy të dyshuar, ishin autorët e plagosjes që ndodhi ditë më parë afër Kinemasë “ABC” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur Fisnik Vitija.
Agron Emini, është familjar i Enver Sekiraçës dhe është person i dyshuar edhe në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Indeksonline sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës ka mësuar se personat e dyshuar, tashmë të arrestuar, për një kohë të gjatë, janë përcjellë nga hetuesit policor, derisa ka ardhur momenti i arrestimit të tyre.
“Hetuesit policor të rajonit të Prishtinës, kanë finalizuar punën e tyre lidhur me rastin tentim vrasje, ku është plagosur një person në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë”, njofton policia.
Policia bënë të ditur se arrestimet e të dyshuarve kanë ndodhur në raste të ndara, ndërsa tek të njëjtit është gjetur dhe konfiskuar një revole. /Telegrafi/