Kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten se, "procesi i bashkimit kombëtar të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe të ardhmen e kombit shqiptar".
Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha theksoi se ky mandat qeverisës, i cili përkoi me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ishte mandati për të ardhmen e shqiptarëve të bashkuar si komb dhe idealin e tyre europian".
"100- vjetori i pavarësisë ishte një vit në të cilin rivendosëm në piedestalet e merituara, të gjitha ngjarjet dhe personalitetet që ne u detyrojmë këtë 100-vjetor, por mbi të gjitha ideali i bashkimit kombëtar u shndërrua në lëvizjen e vërtetë të mbarë shqiptarëve. Kurrë ndonjëherë ky ideal nuk ka patur forcën, fuqinë dhe entuziazmin që krijoi në 100-vjetorin e pavarësisë", tha Berisha.
Sipas tij, "nëse padrejtësitë historike i ndanë shqiptarët në 5-6 shtete, kjo nuk do të thotë kurrësesi se do të mbeten 5-6 kombe shqiptare". "Kjo do të ishte rruga e shfarosjes graduale të shqiptarëve, ndaj dhe ata, siç kanë ditur në momentet më kritike të qëndrojnë së bashku, tani janë 100 herë më të vetëdijshëm për rëndësinë jetike të së ardhmes së tyre, bashkimin njëri me tjetrin, bashkimin me Europën", tha Berisha duke shtuar se "askush nuk duhet të shqetësohet nga ky proces".
Ai ftoi shqiptarët të vendosin besimin tek ideali i bashkimit kombëtar, fill pas besimit te Zoti, sepse vetëm ata që i besojnë një ideali, e ndërtojnë atë çdo minutë, orë e ditë deri në finalizimin e qëllimit, realizimin e tij.
Kryeministri kujtoi se, PD si forcë politike shpalli si yll të saj polar çështjen kombëtare që në themelimin e saj dhe erdhi në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë si forcë politike besnike e palëkundur e këtij ideali, që përbën dhe idealin kryesor të ndërtimit të së ardhmes së kombit shqiptar.
"Bashkimi i shqiptarëve njëri me tjerin do të jetë një proces fatlum edhe për fqinjët, që do të çlirohen nga albanofobia e akumuluar në shekuj. Shqiptarët duan paqe dhe bashkëpunim, por nuk janë të prirur të pranojnë qëndrime albanofobike ndaj tyre, ndaj sa më afër të jemi njëri me tjetrin, aq më pak do të ushtrohen trysni mbi ne. Askush nuk duhet të ketë komplekse ndaj flamurit të shqiptarëve dhe përpjekjeve të tyre për bashkim, ndaj kulturës së tyre të lashtë", tha Berisha./trt/