Lënda e matematikës është bërë shumë e frikshme për nxënësit e nivelit parauniversitar. Ndërkohë, maturantët hezitojnë të konkurrojnë në degët matematiko-shkencore, për shkak të vështirësive të kësaj lënde. Megjithatë, studiuesit thonë se kjo lëndë është me e lehtë se sa fushat e tjera, por duhet të mësohet në mënyrë sistematike. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit theksojnë se të rinjtë duhet të stimulohen për të studiuar këtë fushë.
Udhëheqësi i Divizionit për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, thotë për Radio Kosovën, se në kushtet kosovare, matematika ka nevojë të forcohet duke filluar nga niveli parashkollor deri në mbarimin e arsimit parauniversitar.
“Duke filluar prej parashkollorëve, ora e matematikës të fokusohet kryesisht me lojëra, ku matematika vjen në shprehje, përshkrimi i gjërave prej figurave me madhësi, me formë, me format, me përmbajtje, e krijon zhvillimin e koncepteve të para të matematikës. E njëjta gjë duhet të shkoj deri në klasën e tretë, në mënyrë që fëmijët mos ta kuptojnë se matematika është diçka e papranueshme për kokën e tij”, theksoi ai.
Nxënësit dhe prindërit kanë krijuar një opinion se matematika është një nga lëndët më të vështira dhe nuk mund të mësohet. Por, Kadriu thotë se ajo mësohet në mënyrë sistematike.
“Ta kuptojmë matematikën si diçka e pranueshme dhe më e lehtë se sa gjuha, sigurisht që është më e lehtë se sa gjuha dhe disa lëndë të tjera, sepse gjërat janë të prekshme dhe të dukshme. Nga klasa e gjashtë deri në nivelin e klasës së nëntë unë konsideroj, këtu mësimdhënësit duhet të sqarojnë konceptet mirë, është hapi i parë, që mësimdhënësit tanë i tejkalojnë njohjen e koncepteve. Nëse mbetet një mësim pa mësuar duhet të kthehet dhe të mësohet ai mësim, sepse këputet një hallkë. Është e rëndësishme pjesëmarrja e rregullt në mësim, në orën e matematikës në veçanti”, tha ai.
Sipas Mustafë Kadriut, kohët e fundit ka pasur përparim në lëndën e matematikës. Vlerësimet që janë bërë nga jashtë, kanë nxjerrë në pah se matematika ka dalë më mirë se fizika, shkencat natyrore e të tjera.
Kadriu thekson se mësimdhënësit dhe nxënësit kanë filluar të kuptojnë peshën e kësaj lënde, pasi siç thotë, është më e lehtë të mësohet se sa shumë fusha të tjera. Megjithatë, ai thotë se duhet të krijohen kushtet për këtë fushë, duke stimuluar të rinjtë për të studiuar matematikën./rtk/