Përfundon takimi Thaçi-Daçiq, raundi tjetër më 4 mars

Ka përfunduar dita e dytë e rrethit të pestë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryeministrave: Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se të dy kryeministrat kanë zhvilluar takime të martën dhe të mërkurën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe se ”kanë zhvilluar diskutime të thella”.

”Ata janë khtyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se ”kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë”.

Këtu edhe përfundon deklarata e zonjës Ashton, raporton Rel. Nuk ka ende informacione se për çfarë përparimesh bëhet fjalë saktësisht.

Takimet e këtyre dy ditëve thuhet të kenë pasur temë kryesore diskutimi çështjen e strukturave paralele të Serbisë në veri.

Sipas burimeve të bllokut, takimi i dy kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike.

“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog.

Ata kanë thënë se rezultatet e këtij procesi do të jenë esenciale për përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, Barroso e ka quajtur këtë javë kyçe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat