Njëmbëdhjetë nxënës të klasës 11/8 drejtimi natyror të gjimnazit “Hamzë Jashari” në Skenderaj, janë helmuar të premten pasdite nga një materie e dyshimtë, që supozohet se ishte hedhur në klasë. Nëntë femra dhe dy meshkuj, të cilëve u ishte vështirësuar frymëmarrja dhe kishin pasur ngërçe, janë dërguar në QKMF-në e Skenderajt, të shoqëruar nga disa profesorë, të cilët nuk kanë ditur t’i shpjegojnë shkaqet e helmimit.
Avdush Bajgora, mjek në Qendrën Emergjente të QKUK-së, ka thënë për Kosovapress se rreth orës 16:00, në këtë qendër janë sjell pesë nxënëse që të gjitha me simptoma të njëjta, porse nuk janë në rrezik për jetën.
“Sot në orën 16:00 në Qendrën Emergjente janë sjell pesë fëmijë të gjinisë femërore me ankesa, dhimbje koke, skuqje e syve, djegie të fytit dhe tugë. Në pranim pacientët janë reanimuar dhe i është dhënë terapia adekuate, i janë marrë analizat bazë dhe hemogrami. Fatkeqësisht ne në Kosovë nuk disponojmë me laborator të toksikologjisë i cili do t’i eliminonte të gjitha dyshimet për natyrën e intoksikimit të fëmijëve që janë sjell këtu”, ka thënë ai.
Saranda Hoti, njëra nga nxënëset e helmuara, ka thënë për Kosovapress se kanë qenë në orë të mësimit kur ka ndodhur rasti. Ajo dyshon se është hedhur ndonjë lëndë në klasë. /Kosovapress/