Pas më shumë së 11 orë seance, Grupit të Drenicës i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak nga gjyqtari i procedurës paraprake, duke refuzuar kërkesën e prokurorit të lëndës, Maurizio Salustro.
Të akuzuarit, Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi; ish Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku; komandantit të brigadës 111 Jahir Demaku; Zeqir Demakut, Sahit Jasharit, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi, janë të akuzuar nga Salustro për krime luftë ndaj civilëve.
Avokati i Sahit Jasharit, Tahir Rrecaj ka thënë se si mbrojtje konsiderojnë se nuk ka pasur arsye të shqiptohet masa e arrestit shtëpiak.
“Gjyqtari i procedurës paraprake shpalli vendimin me të cilin të gjithë personat e dyshuar shtatë sa janë, iu ka caktuar masa e arrestit shtëpiak për tridhjetë ditë, që do të thotë se iu refuzua kërkesa e prokurorit për paraburgim”, ka thënë Rrecaj, raporton Kosovapress.
Ndërsa, avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi ka theksuar se është e mirë që nuk është përcaktuar paraburgimi, por konsiderojnë se nuk ka qenë nevojë të caktohet as kjo masë e cila është masa e dytë me e rënd pas paraburgimit.
“Për ne ky vendim është shumë i padrejtë, është një skandal juridik sepse nuk ka pasur kurrfarë arsye që të caktohet masa e arrestit shtëpiak dhe gjyqtari ka mundur të sjell një masë më të rënd që është paraburgimi i tyre. Besoj se të gjitha provat që janë shqyrtuar në këtë seancë janë dëshmuar, posaçërisht mbrojtja e avokatëve dhe vet deklarata e komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve se nuk ka ndodhur asnjë krim në Likoc në kohë për të cilën prokurori e përmend dhe ne mendojmë që të ankohemi këtë vendim në ditën e parë të gjykatës që do të thotë të hënën”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi të hënën, derisa kolegji e ka obligim që pas ankesës së tyre, brenda 48 orëve që i bie ka mesi i javës së ardhshme.
Sipas tij, ky është vetëm një spektakël i EULEX-it në krye me prokurorin Salustro që të hiqet vëmendja nga veriu. Derisa, ai ka mohuar të kenë informacione se të akuzuarit kanë akuza edhe për vrasje.
Sipas informacioneve, ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi akuzohet për 7 vepra penale, ish Komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku me 3 vepra penale, ndërsa Sahit Jashari me 8 vepra penale.