Komuna e Prishtinës nuk ka buxhet për dëmet nga vërshimet

​Edhe pse ka kaluar situata kritike e vërshimeve në Komunën e Prishtinës, zyrtarët komunal thonë se janë në gatishmëri për të ndërhyrë ditëve në vazhdim, nëse do të ketë vërshime të tjera. Kjo është edhe arsyeja se pse Komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar këtyre ditëve.

Por nga këto vërshime, ka familje të cilat ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, shkaku i lagështisë së tokës dhe mobileve. Familja Krasniqi, nga fshati Makofc, thotë për KosovaPress, se ende nuk janë vizituar nga Komuna për tu vlerësuar dëmet.

E Ardian Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike, në Komunën e Prishtinës, thotë se kanë formuar komisionin për vlerësim të dëmeve, ku nga data 24 prill do të dalin në teren, edhe pse sipas tij, nuk kanë linjë të caktuar buxhetore për dëmet e shkaktuara natyrore.

“Është krijuar komisioni për vlerësimin e dëmeve prej nesër fillojmë me dal në teren dhe të shikojmë për së afërmi këto dëme dhe me i qit në anën financiare. Linjë buxhetore nuk ka por tash e shohim në bazë të ligjit të emergjencave se si mund të alokohet bux heti për mbulimin e këtyre dëmeve... Për momentin komisioni do të dal me i vlerësuar dëmet dhe të shohim se sa është shuma e dëmit dhe të shohim a duhet me kërkuar prej Qeverisë a jo, a do të mundet me u mbuluar prej buxhetit të Prishtinës. Nuk ma merr mendja që mundet me u mbuluar por ta shohim se cila është vlera totale e dëmit”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se dëmtimet më të mëdha janë bërë në disa shtëpi dhe në ara. Gashi, ka thënë se janë detyruar në disa pjesë ta dëmtojnë edhe asfaltin duke bërë kanale për të kaluar uji.

“Është vërshuar rrjedha e Lumit Prishtinë fshati Makovc, Llukar, Grashticë, Bërnica e Poshtme, Bërnica e Epërme, fshati Siqevë, rrjedha e lumit Llap, Barileva, Prugovci, Besi, aty më shumë ka pasur rrezik nga rrëshqitja e dheut. Ka pas dëme në Zllatar dhe vërshime në Mramor, ku rritja e nivelit të prockës na ka bërë të pamundur të kemi qasje në anë tjetër të lumit ku kanë qenë disa shtëpi”, ka shtuar Gashi.

Ndërsa, Kushtrim Krasniqi, banor i fshatit Makofc, ka thënë se shtëpia e tij është e pa banueshme shkaku i këtyre vërshimeve dhe ka shtuar se me 7 anëtarët e familjes janë duke banuar te fqinjët deri sa të kaloj kjo gjendje. Sipas tij, arsyeja kryesore se pse oborri i tij ishte vërshuar, është dalja e lumit nga shtrati. Krasniqi, ka theksuar se janë duke pritur që Komuna ti vizitoj për vlerësim të dëmeve, ashtu siç u kanë premtuar.

 “Arsyeja kryesore është se është dal lumi nga shtrati, ka shkaktuar dëme të mëdha, është mbush shtëpia me ujë të gjitha... Komuna nuk ka qenë ende këtu, për të shikuar dëmin se çka është bërë, siç është na bahçe, në pemë në ujë në rroba të gjitha. Kanë bërë premtime që do të vijnë po presim një herë”, ka theksuar Krasniqi.

Drejtor i Shërbimeve Publike, ka shtuar se vërshimet janë pothuajse në vendet e njëjta ku ka pasur edhe herëve të tjera. Ai ka thënë se gjatë ditëve kritike, janë ndihmuar nga Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë dhe Kompani private, për të evakuuar njerëz nga shtëpitë dhe për ti hapur rrugë ujit.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat