Serbia mund të presë reparacione për bombardimet më 1999, por kjo nuk është diçka që do ta bëjmë, megjithatë do të vazhdojmë ta ndihmojmë si deri më tash, ka deklaruar ambasadori i SHBA në Beograd, Michael Kirby.
Kirby ka thënë në një emision të B92 (‘Gishti Tregues’) se Serbia që nga viti 2000 është mbështetur shumë dhe kjo mbështetje llogaritet me miliarda dollarë. Ai ka shtuar se një varg rrethanash kanë ndikuar që Serbia të bombardohet, por pas kësaj asaj i është dhënë ndihmë e madh.
I pyetur për gjykatën speciale në Kosovë, Kirby citohet të ketë thënë se “Clint Williamson, që ka bërë hetime rreth pretendimeve të Dick Martyt, është prokuror me përvojë. Kam biseduar me të dhe jemi pajtuar se krimet, kushdo që të jetë viktima, janë të tmerrshme dhe s’bën të tolerohen. Disa gjëra kanë qenë jashtë asaj që lejohet të ndodhë në luftë. E mbështesim Gjykatën për krime lufte dhe ekzistimin e saj, sepse duhet të thuhet se kush çfarë ka bërë dhe që kjo të kalojë nëpër gjyq dhe nëse ka fakte të ketë një aktgjykim”, ka thënë Kriby.
Në pyetjen nëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mund të jetë objekt hetimi i kësaj gjykate, ambasdadori amerikan në Beograd ka thënë:
“Jam i sigurt se Clin Wiliamson ka hetuar çdo gjë ku e kanë çuar faktet dhe nuk ka pasur kufizime. Se a është Thaçi i përzier, këtë me të vërtetë nuk e di, por jam i sigurt se të gjitha hollësitë së shpejti do të dihen”, është shprehur Kirby.
Çështja e Kosovës është njëra nga vendimtaret në rrugën e Serbisë drejt BE-së, të cilën SHBA e përkrahin. Kirby ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është pyetje për zyrtarët e BE-së.
“Për këtë duhet ta pyetni BE-në, por në vjeshtë të vitit 2012 Hillary Clinton ishte në Beograd bashkë Catherine Ashton dhe me këtë rast temë bisede ka qenë normalizimi i marrëdhënieve dhe nuk ka pasur deklaratë, as kërkesë se kusht do të jetë njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Nuk ka parë që në këtë çështje të ketë ndryshuar ndonjë gjë, porse pyetja është për Danveportin dhe BE-në”, ka thënë Kirby.
“Por, ju s’do të arrini shpejt në BE dhe deri në vitin 2020 shumëçka mund të ndodhë. Megjithatë mendoj se marrëdhëniet e mira nuk vetëkuptojnë njohjen e pavarësisë”, është shprehur ambasadori amerikan.