Lëvizja Vetëvendosje solidarizohet me nxënësit e Luginës së Preshevës, në protestën e tyre për shkak të mungesës së librave shqip, sot, në ditën e parë të shkollës.
"Lëvizja Vetëvendosje! solidarizohet më të gjitha format e protestave në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, lidhur me shkollat shqipe dhe gjendjen e arsimit. Diskriminimi sistematik shtetëror i Serbisë në përgjithësi, e në veçanti në fushën e arsimit, vazhdon me metodat e saj perfide të shtypjes ndaj shkollave në gjuhën shqipe. Si pasojë, ky viti shkollor po fillon pa tekste mësimore dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimor", thuhet në komunikatën e VV-së.
Vetëvendosje shprehet më tej se në Serbi po vazhdohet politika diskriminuese kundër shqiptarëve në Luginë.
"Qeveria e Serbisë nëpërmjet Trupit Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc shkelin çdo ditë e më shumë të drejtat elementare të shqiptarëve. Me metodat e saj segreguese Serbia nuk siguron tekstet, doracakët dhe librat mësimore për nxënësit shqiptarë. Ajo vazhdon të mos lejoj mësimin e kulturës dhe historisë kombëtare shqiptare nëpër shkollat shqipe. Po ashtu, nuk pranon diplomat e Kosovës, si rrjedhim as nostrifikimin e tyre, edhe pse është pretenduar se kjo çështje është zgjidhur me marrëveshjen e dalë nga negociatat në Bruksel. E gjitha kjo po kontribuon në degradimin e shkollave shqipe. Politika diskriminuese serbe për spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve ilustrohet më së miri në zvogëlimin sistematik të numrit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat shqipe të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit", thuhet më tej në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje shprehet se nga ana tjetër ka një pasivitet "të pashjegueshëm" nga ana e Tiranës dhe e Prishtinës, që nuk reagojnë për situatëm.
Në fund, ky subjekt politik shprehet se i fton përfaqësuesit politikë shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për kohezion në drejtim të kundërshtimit dhe rezistimit ndaj politikave diskriminuese të Serbisë si dhe për përdorim të të gjitha mundësive për përmirësimin e gjendjes në arsim, duke u distancuar kësisoj nga përgjegjësia e degradimit shtetëror serb ndaj arsimit shqip në Luginën e Preshevës./albeu/