Popullsia e Kosovës për vitin 2013 (01 janar-31 dhjetor) vlerësohet të jetë 1,820,630 banorë rezidentë krahasuar me vlerësimin e vitit 2012, që ishte 1, 815, 606 banorë.
Shtimi natyror i popullsisë në Kosovë është rritur për 21,407 banorë. Numri i lindjeve në Kosovë për vitin 2013 ishte 29,724, kurse numri i vdekjeve ishte 8,317.
Ndërkaq, numri i të kthyerve në Kosovë gjatë vitit 2013 ishte 3,864 banorë, përderisa numri i emigrantëve kosovarë ishte 20,246 banorë.
Kështu thotë publikimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë (nga një komunë në tjetrën), ku numri i përgjithshëm është 9,330 banorë.
Baza e të dhënave për ta vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2013 është marrë nga numri i vlerësuar i popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2012, lindshmëria, vdekshmëria dhe lëvizjet e popullsisë jashtë Kosovës.