Gjatë natës së mbrëmshme është sulmuar një furrë buke në Stara Pazova dhe Sombor, në pronësi të shqiptarëve. Policia serbe deri tani nuk i ka zbuluar sulmuesit, ndërsa hetimet janë në vazhdim, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëri nga sulmuesit e furrës "Milenijum as" në Stara Pazova me armë automatike ka gjuajtur rreth 50 plumba, ndërsa një tjetër hodhi bombë. Ndërsa në Sombor iu vu zjarri furrës së bukës "Dva brata" gjatë orëve të hershme të mesnatës në 1:30. Për fat të mirë, zjarri u shua shpejt dhe në të dy incidentet nuk ka pasur punëtorë të lënduar.
Përveç se në Serbi, për shkak të incidentit dhe ndërprerjes së ndeshjes kualifikuese EURO 2016, të luajtur në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë të martën në mbrëmje, tensionet janë rritur edhe në Mal të Zi. Pas konfliktit fizik të djeshëm në mes nxënësve malazez dhe shqiptarë në shkollën e qytetin kufitar të Tuzit, janë thyer edhe xhamat e Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë. Për këto akte vandalizmi hetimet janë në vazhdim, për Anadolu Agency konfirmoi Ambasada e Shqipërisë në Podgoricë.