Avokati i Fuad Ramiqit, Skënder Musa, ka thënë se pret që klienti i tij të lirohet nga të gjitha akuzat.
Në kohën kur i imamët e arrestuar dhe kryetarin e LISBA-s, Fuad Ramiqin, i ndajnë edhe më pak se dhjetë orë nga përfundimi i masës së paraburgimit, avokatët e tyre, shprehin bindjen se nuk do të ketë prova për gjykimin e tyre.
Pas përfundimit të një seance në Gjykatën e Apelit, avokati Musa tha se prokurori i rastit, nuk ka arritur të ketë prova shtesë për të mbrojturin e tij, Fuad Ramiqin dhe pret që ai të lirohet më së largu nesër.
“Sa i përket të mbrojturit tim, i cili akuzohet për thirrje për rezistencë, në mënyrë absolute prokurori nuk ka paraqitur asgjë të re”.
“Vendimi nuk e di se kur do të merret, mirëpo prokurori nuk ka paraqitur asnjë provë të re për të akuzuarit, përkundër saj, ka hequr dorë edhe nga disa dyshime që ka pasur ndaj të pandehurit, siç është rekrutimi për terrorizëm”.
“Ndërkaq prova të reja, siç ka kërkuar Gjykata e Apelit, nuk ka pasur dhe as në këtë seancë nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar për asnjë nga të pandehurit”.
“Në mënyrë të veçantë nuk është vërtetuar dyshimi se i mbrojturi ka kryer veprën penale, thirrjes për rezistencë, për shkak se ajo ka qenë një deklaratë e një njeri opozitar, kundër institucioneve të shtetit tonë dhe nuk ka pasur të bëjë asgjë kundër vendimeve të gjykatave”.
Masa e paraburgimit për të arrestuarit do të zgjasë deri në orën 24, ndërsa nesër pritet të ketë një vendim nga gjykata./lajmi/