Si rezultat i sulmeve ajrore të aeroplanëve sirianë dhe rusë në një treg të një lagjeje në Haleb që është nën kontrollin e opozitarëve, 14 persona humbën jetën, ndërsa 26 u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i mbrojtjes civile në Haleb, Ibrahim Ebu Lejs, në deklaratën për gazetarin e AA-së, tha se aeroplanët e Rusisë dhe regjimit kanë bombarduar tregun e rrobave në lagjen Sukkeri, e cila është nën kontrollin e opozitarëve.
Duke theksuar se si rezultat i tetë sulmeve të organizuar në zonën e tregut humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 26 të tjerë, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë, Ebu Lejs tha se “Si pasojë e sulmit, shumë dyqane u sollën në gjendje të papërdorshme. Në disa punëtori dhe shtëpi shpërtheu zjarr. Zjarri u shua nga zjarrëfikësit dhe ekipet e mbrojtjes."
“Në vendet ku bombardojnë aeroplanët rusë, dëmi është i madh”, tha Ebu Lejs, duke vazhduar se “Tregu i rrobave në Sukkeri ishte pre e sulmeve të aeroplanëve të Rusisë dhe regjimit. Përmes radio-komunikimit mësuam se aeroplanët ruse dhe të regjimit kanë sulmuar zonën Sukkeri. Shumica e atyre që e humbën jetën nga bombardimet ishin gra dhe fëmijë.”
Ndërsa njëri nga dëshmitarët okularë në rajon, Ebu Adnan, u shpreh: “Pse e sulmoni këtë vend. Është mëkat. Shumica e të vdekurve ishin fëmijë. Trupat e tyre të pajetë i nxorëm nga rrënojat. Frikohuni nga Zoti.”











































