Të paktën një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën në incidentin e mbrëmshëm, i cili ka ndodhur në afërsi të një xhamie në veri të Londrës, kur një sulmues me makinë përplasi një turmë të këmbësorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e policisë thanë se hetimet është duke i kryer departamenti për luftën kundër terrorizmit, dhe se shoferi dyshuari do t'i nënshtrohet testit të shëndetit mendor.
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka deklaruar se sulmi i djeshëm ishte "incident i tmerrshëm" dhe se bëhet fjalë për akt të mundshëm terrorist. Maj njoftoi se sot do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të qeverisë.
Në deklaratën e policisë londineze theksohet se një person ka vdekur në vend, dhe se tetë nga të lënduarit janë shtruar në spital. Ekipi i shërbimeve emergjente në terren u ka dhënë ndihme edhe dy personave me lëndime të lehta.
Po ashtu edhe sulmuesi 48-vjeçar, i cili u arrestua është shtruar në spital, ndërsa policia njoftoi se do të marrë në pyetje pasi të dalë nga spitali.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Musliman të Britanisë, Harun Khan, ka thënë se shënjestër e sulmeve të mbrëmshme ishin muslimanët që po ktheheshin nga namazi i teravisë nga xhamia.
Ende pritet raport më i detajuar nga policia për incidentin e mbrëmshëm, ndërsa dëshmitarët okularë në rrjetet sociale kanë bërë të ditur se njeriu me makinë qëllimisht përplasi turmën e këmbësorëve pranë xhamisë Finsbury Park.
Imami i xhamisë Muhammad Kozba për AA ka thënë se është e qartë se shënjestër e sulmit ishin besimtarët që po ktheheshin në shtëpitë e tyre nga xhamia.
Dëshmitar okular Abdulrahman Aidroos tha se kishte parë "një britanik të bardhë" duke bërtitur "do të vras muslimanët", dhe më pas me makinë u fut në mes të këmbësorëve. Ai shtoi se një person u vra në vend dhe se të paktën dhjetë persona u plagosën.
Aidroos gjithashtu tha se këmbësorët pastaj e kanë kapur sulmuesin dhe ia dorëzuan policisë. Sulmi i mbrëmshëm në veri të Londrës ka ndodhur pas dy sulmeve të fundit terroriste në të cilat kanë humbur jetën 22 persona në Mançester dhe tetë të tjerë në Londër.