Nga Prishtina e Podujeva janë larguar mbi 1300 nxënës

Largimi i nxënësve të kryeqytetit nga procesi mësimor, si pasojë e largimit të familjeve të tyre në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) vetëm sa vjen e shtohet.

Derisa javën e kaluar Telegrafi kishte raportuar për së paku 312 nxënës të larguar nga procesi mësimor nëpër shkollat e kryeqytetit, ky numër tashmë ka kaluar shifrën 800.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka thënë për Telegrafin se “deri në fund të javës së kaluar, nga Prishtina, janë larguar 873 nxënës dhe 9 fëmijë nga çerdhet”.

Largimet të mëdha po ashtu merret vesh të jenë bërë nga rajoni i Podujevës, ku dyshohet se deri tash janë larguar mbi 10 mijë banorë. Nga ta janë afro 500 nxënës të ciklit fillor dhe të mesëm, të cilët janë larguar më familjet e tyre drejt vendeve të BE-së.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, gjatë javës së kaluar kishte sqaruar se deri tani nga shkollat e Kosovës janë larguar mbi pesë mijë nxënës, duke e quajtur alarmant fenomenin e largimit të nxënësve kosovarë nga shkollat.

Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), në takimin të cilin e ka zhvilluar gjatë javës së kaluar, ka raportuar se 50 mijë kosovarë tashmë janë larguar nga Kosova drejt Evropës. /Telegrafi/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat