Kategoria e të plagosurve civilë nga minat po ankohet se nuk po i gëzojnë të drejtat që sipas tyre u takojnë me ligj. Ata po ankohen se as Ministria e Shëndetësisë, as e Mirëqenies Sociale e as Qeveria e Kosovës nuk po u del në ndihmë.
Shoqata e të Plagosurve Civil nga Minat, SHPCM numëron 2 mijë e 144 të plagosur të cilët kanë humbur ndonjë gjymtyrë, këmbën, dorën apo syrin nga shpërthimet e minave, pas luftës së fundit në Kosovë.
Shumica prej tyre janë të rinj të cilët në atë kohë ishin fëmijë. Ajo për çka ata më së shumti kanë nevojë, janë protezat për gjymtyrët e humbura, të cilat ankohen se nuk po ua siguron shteti.
Avni Luboci, kryetar i Shoqatës të të Plagosurve Civil nga Minat i cili gjithashtu ka humbur pjesën e nëngjurit të këmbës së majtë, thotë se kërkesat për nevojat e tyre vazhdimisht i kanë adresuar në Qeveri, Ministri të Shëndetësisë dhe në atë të Mirëqenies Sociale.
Por sipas tij asnjëra nga këto institucione nuk u ka dhënë ndihmën e nevojshme.
“Pikë së pari kërkesat kanë qenë pajisja me proteza për të gjithë invalidët civil të cilët kanë humbur gjymtyrët e tyre si, duart, sytë dhe këmbët dhe ndryshimi i Ligjit, ngritja e pensioneve të cilët nuk kanë pasur ngritje që nga viti 2007 dhe rritja e fundit ka qenë e ajo 2014-ës, rritje shumë e vogël krahasuar me kategoritë e tjera që kanë pasur rritje çdo vit”, thotë ai.
Që nga pas lufta e këndej, kjo kategori protezat i ka siguruar nga donatorët e huaj dhe donatorët vullnetarë.
Ai thotë të jetë takuar edhe me ish ministrin e shëndetësisë, Ferid Aganin të cilit i ka kërkuar ndihmë për sigurimin e protezave por që as Agani nuk i ka ofruar ndihmë me arsyetimin se këto proteza kanë çmim shumë të lartë.
Luboci tregon se një protezë nën gju kushton mbi 5 mijë euro, mbi gju afër 10 mijë euro, ajo e dorës mbi 5 mijë euro, ndërsa një protezë e syrit kap vlerën diku 1 mijë deri në 2 mijë euro.
Ai thotë se si shoqatë, kanë bërë kërkesë në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri për ndryshimin e ligjit që e rregullon statusin e kësaj kategorie.
Sipas tij, ky ligj nuk i përcakton saktë të drejtat e tyre dhe nuk i liron nga pagesa për marrjen e dokumenteve të ndryshme, kurse kategoritë e invalidëve të UÇS-së dhe personat me aftësi të kufizuar janë të liruar nga këto pagesa.
Nga ana tjetër, Jeton Kelmendi i cili ka humbur një gjymtyrë nga minat thotë se pakënaqësitë janë të shumta sepse kjo kategori ka probleme shumë të mëdha ekonomike, të cilat nuk janë marrë parasysh nga asnjë institucion i Kosovës.
Problem i madh sipas tij me të cilin po përballet kjo kategori është qasja në punësim.
“Kjo kategori ka probleme të mëdha por kjo kategori ka njerëz që kanë vullnet për me jetu dhe për me ecë përpara, ku kemi me fakultet dhe kemi me master të cilët sot bredhin rrugëve, ku ekziston edhe Zyra për Qeverisje të Mirë, ku ekziston edhe zyra për të drejtat e kësaj kategorie e cila nuk merret. Kena edhe dëshmitarë, këna edhe anëtarë të cilët kanë bërë kërkesa ku nuk merren parasysh nga institucionet tona, vetëm nëse ke të njohshëm”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket qasjes në pensione, ai thotë se pensioni që kjo kategori merr mund të konsiderohet lëmoshë.
E Burim Përteshi nga Suaheraka, i cili ka humbur pjesën e nëngjurit të majtë nga minat në vitin 1999 në Qafë të Dulës, tregon një fakt shumë interesant.
“Puna është që unë protezën që 10 vite nuk e kam ndërru. Prej institucioneve të Kosovës nuk kam kurrfarë ndihme për protezë veçse KFOR-i austriak kur më ka dërguar në 2005-tën në Austri. Edhe sot e kam protezën e Austrisë”, thotë Përteshi.
Ai thotë se si pasojë e mos ndërrimit të protezës që 10 vite, po ka probleme me boshtin kurrizor dhe me unaza.
Përteshi tregon se një protezë si ajo të cilën ai e mban duhet të ndërrohet çdo dy vite dhe ka kosto rreth 5 mijë e 400 euro. Ndërsa tregon se të ardhurat e tij janë vetëm 152 euro pension si invalid i luftës dhe nuk gëzon asnjë të ardhur tjetër.
Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, MPMS thotë se numri i aplikuesve civilë të luftës në këtë ministri është 42.
Sa i përket rritjes së pensioneve, Demiri thotë se për këtë kategori, ka ndodhur një rritje prej 25% në muajin mars të vitit 2014.
“Këta aplikues nga shkalla 40-60% marrin pension 120 euro, nga 61-81% marrin pension 136.25 euro, mbi 80% marrin pension 152.50 euro si dhe kanë edhe përcjellësin e tyre me pagesë. Për të gjithë personat e kësaj kategorie të cilët janë të interesuar dhe vijnë tek ne, ne i pajisim me vërtetim që janë në skemën tonë dhe janë kategori e tillë dhe që kanë përkrahjen institucionale për lehtësim dhe përkrahje për nevojat e tyre”, u shpreh Demiri.
Kurse, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka punuar në vazhdimësi në krijimin e legjislacionit.
Lulzim Uka, zyrtar për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se njëri nga udhëzimet e MSh-së, është edhe Udhëzimi Administrativ 10/2013, i cili është përpiluar pikërisht për sigurimin e shërbimit për trajtimin e sëmundjeve që Institucionet publike nuk kanë mundësi të ofrojnë.
“Nëse një qytetar i vendit në këtë rast, personat që kanë pësuar dëmtime trupore nga minat, ka nevojë për një shërbim shëndetësor në QKUK, çfarëdo shërbimi qoftë ai, përfshi edhe vënien e protezave apo ndërrimin e tyre, i cili nuk mund t’i ofrohet në Institucionin Publik, atëherë e ka të drejtën të aplikojë në MSh, për trajtim jashtë institucioneve publike”, thotë ai.
Edhe pse ai thotë në këtë rast ligji e specifikon shumë qartë mbulimin e trajtimit të pacientëve me nevojë, në anën tjetër, anëtarët e shoqatës ShCPM-së thonë se ata nuk marrin ndihmën që u takon me ligj.
Kurse Uka thotë se ka raste edhe nga kjo kategori e pacientëve, të cilët kanë aplikuar dhe ju ka ndarë mjetet për trajtim.
KALLXO.com ka drejtuar pyetje edhe në Kuvendin e Kosovës lidhur me kërkesën e shoqatës për ndryshim të ligjit, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur. /KALLXO.com/