Vetë ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ishte angazhuar të flasë dhe të përgëzojë Policinë për arrestimin e serbit Sllobodan Gavriq, në fund të vitit të kaluar.
Por, pos bujës së madhe për një javë rresht rreth këtij rasti, i cili u paraqit si një parandalim i suksesshëm i një sulmi të tmerrshëm terrorist, asgjë më nuk ka ndodhur, raporton KTV.
Në Ministrinë e Brendshme i kanë thënë KTV-së që përgjigjet duhet të kërkohen në Prokurori e Polici. Por, fjalia e zakonshme e Prokurorisë është se - hetimet po vazhdojnë. Me rastin është duke u marrë prokurorja Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Për të raportuar për këtë, në Komisionin parlamentar u ftua vetë ministri Hyseni, por ai nuk kishte dhënë shumë detaje për rastin. Nënkryetari i këtij komisioni thotë se institucionet do të duhej të kryenin punën e tyre, e jo të nguten me deklarata për poenë politikë, transmeton Koha.net.
Sllobodan Gavriq po vazhdon të qëndrojë në paraburgim, që nga dhjetori i vitit të kaluar, nën dyshimin e përgatitjes së veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.